75 Mall Live Search
18:33 / E Mërkurë, 04 Tetor 2023 / S Z

Zbulim i teknologjisë në fushën e diagnostikës In-Vitro, ky është shqiptari që projektoi teknologjinë revolucionare dhe inovative

Zbulimi i teknologjisë në fushën e diagnostikës In-Vitro pa përdorimin e alkoolit, është i veçantë, unike dhe është një triumf i vërtetë për shkencën dhe inovacionin global në medicinë.

Ky sukses vjen si rezultat i punës së palodhshme dhe vizionit të ndritur të inxhinierit Petrit Blakaj nga Prishtina, i cili të gjitha pjesët e pajisjeve medicinale i ka projektuar dhe dizajnuar së bashku me bashkëpunëtorët dhe kompaninë së tij “Biogram GmbH” në Gjermani, të cilët kanë shpikur një teknologji revolucionare dhe inovative.

Formula e patentuar dhe unike në botë shërben mbrojtjes së mjedisit dhe ambientit, mbrojtjen efeciente të punëtorëve shëndetësor nga ndikimi i dëmshëm i shkaktuar nga substancat kimike konvencionale, dhe paraqet parametra të dokumentuara që mundëson në masë të madhe reduktimin e harxhimit të reagencave.

Kjo përparësi e madhe është një dëshmi e fuqisë së talentit shqiptar dhe aftësisë për të shpikur dhe zhvilluar teknologji të avancuara, në mënyrë të qëndrueshme dhe të përshtatshme për shqetësimet shëndetësore të përditshme. Ky sukses rrëfen historinë e një ekipi të pasionuar, të përkushtuar ndaj shëndetit të njerëzve dhe ndaj një mjedisi të pastër, ku alkooli nuk ka nevojë të jetë pjesë e procesit të diagnostikës.

Megjithëse zbulimi i tij është një ndër zbulimet më të mëdha që kanë bërë shqiptarët nëpër botë , Petrit Blakaj në një intervistë për “Indeksonline”, thotë se për të ardhur deri tek ky rezultat kanë bërë tri vjet hulumtime.

“E kemi një  firmë në Gjermani, merremi me IN -Vitro diagnostikë në lëmine e prodhimit të produkteve për laborator. I kemi disa sisteme për kryerjen e analizave, me qëllim që të vie deri tek një diagnozë e shpejtë dhe e saktë. Reagencat që përdoren aktualisht janë me metanol, i cili është kancerogjen, e i cili është i rrezikshëm dhe për shëndetin e punëtorëve, të cilët punojnë në laboratore. Ne e kemi një recepturë të veçantë që gjithë botën nuk ekziston pa metanol. Kemi arritur ta heqim metanolin dhe ta zbulojmë një formulë pa metanol . Kemi bërë hulumtime së bashku me universitetet në Gjermani dhe janë validu provat dhe se produktet tona tashmë gjenden në tregun gjerman. Që tri vjet jemi duke bërë hulumtime dhe se ky është një zbulim për degën ku jemi ne, një zbulim i madh për këtë degë. Në Gjermani veçse i shesim këto produkte, i kemi dhe distributorët dhe për gjithë botën”, tha ai.

 Por ëndërr e Petritit mbetet që produktet e kompanisë së tij, të jenë të pranishme në Kosovë dhe se në një të ardhme,  ta ketë dhe një linjë të prodhimit të pajisjeve inovative , revolucionare dhe në Kosovë.

“ Jemi duke shikuar mundësinë që për tregun e Ballkanit këto produkte t’i shesim nga Prishtina. Përfaqësinë dua ta kem në Prishtinë për tërë rajonin. E kam dhe një ëndërr, që ta kemi dhe një linjë prodhimi dhe në Prishtinë pas një kohe. Është ëndërr e imja, për të cilën do të punojë shumë që ta realizoj”, tha ai.

 Ai madje thotë se për këto produkte inovative, kanë nevojë dhe laboratorët në Kosovë.

 “Edhe Kosova ka nevojë për këto produkte. Ishim në Kosovë në fillim të vitit dhe i kemi vizituar disa klinika e laboratorë dhe e kemi parë se janë shumë të nevojshme produktet e tilla. Nga kjo vizitë kuptova se disa analiza po kryhen në Turqi, në pamundësi që ato të kryhen në Kosovë. Puna që është shumë e thjeshtë, duhet të shkojë dhe të bëhet në Turqi. Derisa të kthehen rezultatet nga Turqia humb kohë. Për një analizë që mund të bëhet brenda 24 orëve, duhet të pritet një javë. Me teknologjinë tonë s’ka nevojë që disa analiza të dërgohen jashtë vendit, sepse me këtë teknologji ato fare lehtë mund të kryhen dhe në Kosovë“, tha ai./Indeksonline/