Dita botërore kundër diabetit, IKSHPK me udhëzime se si ta parandalojmë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Ditën botërore kundër diabetit bën të ditur se është një sëmundje kronike metabolike që karakterizohet me nivele të larta të glukozës në gjak (sheqerit në gjak), e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave.
IKSHPK në një postim në Facebook thekon se më i zakonshmi është diabeti i tipit 2, zakonisht tek të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.
“Në tri dekadat e fundit prevalenca e diabetit të tipit 2 është rritur në mënyrë dramatike në të gjitha vendet pa dallim nga niveli i të ardhurave. Më shumë se 500 milionë njerëz aktualisht jetojnë me diabet në të gjithë botën”, thuhet më tej.