Dita e dytë e vitit të ri, gjashtë raste të dhunës në familje

Policia ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së djeshme, janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.
Rastet e dhunës janë evidentuar në rajonin e Prishtinës dhe atë të Gjakovës.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar në polici se ka pasur dhunë fizike dhe psikike nga një i dyshuar, mashkull kosovar. Sipas viktimës, dhuna ka vijuar nga shtatori i vitit 2022, deri në shtator të vitit 2023. Policia ka bërë të ditur se janë ndërmarre veprimet hetimore lidhur me rastin.
Në Obiliq, mbrëmë rreth orës 22:00 është shoqëruar në stacion policor një i dyshuar për dhunë në familje, gjithashtu. i dyshuari raportohet të ketë sulmuar një viktimë, femër kosovare. Kjo e fundit ka pranuar edhe tretman mjekësor.
“Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, bën të ditur policia.
Po në Obiliq mbrëmë është raportuar se një viktimë është kanosur verbalisht nga një i dyshuar.
Sipas policisë, i dyshuari gjendet në arrati dhe rasti është duke u hetuar, raporton IndeksOnline.
Mbrëmë në Fushë Kosovë, një viktimë ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar. Sipas viktimës, deri të sulmi ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes dy të përfshirëve në rast. Policia ka bërë të ditur se viktimës ka pësuar lëndime të lehta trupore, për të cilat edhe ka marrë tretman mjekësor.
I dyshuari, me vendim të prokurorit, është liruar pas intervistimit.
Një grua ka raportuar dje në policinë në Gjakovë se një i dyshuar ka ushtruar dhunë psikike dhe e ka kanosur viktimën. Ajo ka deklaruar se ka pasur urdhër të mbrojtjes, por që është thyer nga i dyshuari.
Sipas policisë, rasti është duke u hetuar.
Në Gjakovë është evidentuar edhe një tjetër tast i dhunës në familje.
Pak para mesnatës mbrëmë, një viktimë ka raportuar se një i dyshuar ka qenë i dehur dhe ka shkaktuar dhunë.
“I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje” bën të ditur policia./IndeksOnline/