75 Mall Live Search
16:49 / E Martë, 23 Janar 2024 / k.v

“I ndjeri kishte një thikë në dorë” – Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, më 15 janar 2024 ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të miturve të dyshuar se i shkaktuan lëndime të rënda trupore L.F., i cili më pas ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj dy të miturve, është bërë më 15 janar 2024, kur tani i ndjeri ishte duke u trajtuar në QKUK, e i cili më 20 janar ndërroi jetë, duke bërë që pas kësaj rrethane, vepra penale të ricilësohet nga “Vrasje në tentativë” në “Vrasje”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ekziston dyshimi i bazuar se më 14 janar 2024 në Podujevë pas marrëveshjes paraprake në bashkëveprim, dy të miturit e dyshuar, lidhur me një mosmarrëveshje të mëhershme verbale dhe ditën kritike pas një përleshjeje mes të dyshuarit të parë dhe të dëmtuarit (tani i ndjerë) L.F., i cili kishte filluar të largohet nga aty, i dyshuari i parë me dashje që ta privojë nga jeta, e kishte marrë veturën me të cilën ka arritur me shpejtësi dhe posa e ka parë të dëmtuarin (tani të ndjerin L.F) në trotuar dhe duke u larguar deri afër një muri të një shtëpie, e cila ishte afër rrugës, L.F., arrin të kërcejë mbi pjesën e përparme të automjetit dhe ka rënë në tokë gjysmë i rrëzuar.