Shpërndarja e fletushkave në veri, Elshani: Janë bastisur katër lokacione, u ndaluan dy persona, një tjetër në kërkim

Persona të panjohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme në veri, kanë shpërndarë fletushka që tregojnë instruksione se si duhet vepruar serbët, kur shohin patrullën e policisë, si duhet vepruar kur shohin shërbyesin civil, si është më së lehti të thyhet automjeti i policisë, e gjithashtu kanë dhënë edhe udhëzim se si të bëhet një koktej molotovi.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani ka thënë për “ Indeksonline” se policia e Kosovës pasditën e sotme i ka bastisur katër lokacione në lidhje me rastin e thirrjes për rezistencë, ka ndaluar dy persona dhe është në kërkim të një personi tjetër.
“Sot gjatë orëve të pasditës në Mitrovicë Veri i kemi bastisur 4 lokacione në lidhje me rastin e thirrjes për rezistencë dhe i kemi ndaluar dy persona, ndërsa jemi në kërkim edhe të një personi të tretë. Pas intervistimit të tyre do të vendoset për veprimet e tjera. Të dyshuarit e ndaluar janë G.K. (1978) dhe D.S.(1971) Njëri në ndërkohë u lirua në procedurë të rregullt, e tjetri ende eshte ne procedur te intervistimit nga hetuesit”, ka thënë Elshani. /Indeksonline/