75 Mall Live Search
20:02 / E Shtunë, 17 Shkurt 2024 / MSH

KFOR-i reagon pas raportimit të Indeksonline: Informacioni nuk pasqyron atë që ka ndodhur në të vërtetë

Indeksonline ka raportuar më herët gjatë ditës lidhur me disa dyshime se ushtarë serbë kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Në një prononcim për Indeksonline, një qytetar ka treguar se gjatë kalimit në Bervenik të Podujevës, në pikën e KFOR-it, dyshohet se ka parë forca serbe ku i kanë drejtuar armën në momentin që është parë.

“Në pikën ku rrin KFOR-i gjithmonë, nuk ka pasë pjesëtarë të KFOR-it, kur i pava ata mendova që janë KFOR-i ata ishin kanë xhandarmëria, në moment që na kanë parë që jemi duke i kqyrë na i kanë drejtu armët, armë të rënda, mitroloz”, ka thënë qytetari për Indeksonline.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.

Nga KFOR-i thonë se informacioni ishte i pasaktë dhe se nuk e pasqyron atë që ka ndodhur në të vërtetë.

“Sot, rreth orës 14:45, një njësi letoneze që i përkiste KFOR-it po përgatitej të fillonte një patrullë të planifikuar të sinkronizuar me Forcat e Armatosura Serbe, përgjatë të dy anëve të vijës kufitare administrative. Në kohën kur u bë fotografia në fjalë, personeli letonez po koordinohej me homologët e tyre serbë, të cilët ishin pozicionuar në anën e tyre të vijës kufitare administrative” ka thënë mes të tjerash KFOR-i, në një reagim zyrtar.

Të njëjtën gjë ka pohuar edhe Policia e Kosovës.

“Bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta, që KFOR me kontigjente të caktuara, realizon me autoritet policore serbe, ashtu siç realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë dhe parandalim të krimit trans kufitar”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ky është reagimi i plotë i KFOR-it:

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja dëshiron t’i përgjigjet një lajmi të publikuar nga Indeksonline këtë pasdite, i cili portretizon një njësi serbe duke drejtuar armët drejt civilëve në territorin e Kosovës. Ky informacion nuk është i saktë dhe nuk pasqyron atë që ka ndodhur në të vërtetë. Sot, rreth orës 14:45, një njësi letoneze që i përkiste KFOR-it po përgatitej të fillonte një patrullë të planifikuar të sinkronizuar me Forcat e Armatosura Serbe, përgjatë të dy anëve të vijës kufitare administrative. Në kohën kur u bë fotografia në fjalë, personeli letonez po koordinohej me homologët e tyre serbë, të cilët ishin pozicionuar në anën e tyre të vijës kufitare administrative.

Është e rëndësishme të theksohet se skuadra letoneze ishte pozicionuar më tej pas liderit të tyre, i cili ishte i përfshirë në koordinimin e aktiviteteve me Forcat e Armatosura Serbe. Imazhi mund të ishte prerë për të përjashtuar pjesët që përshkruanin liderin letonez duke biseduar me udhëheqësin e SAF. Patrulla e sinkronizuar është kryer në mënyrë profesionale dhe në respekt të plotë të procedurave të përcaktuara mirë. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, duke ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.