Zjarri në objektin e gjykatës në Kaçanik, deklarohet policia

Policia e Kosovës ka ndarë detaje lidhur me zjarrin që kaploi një pjesë të Gjykatës Themelore të Kaçanikut.
Indeksonline raportoi më herët se në rrugën “Ismail Raka”, më saktësisht në Gjykatë, është parë zjarr pas mesnate.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar për Indeksonline se informatën për zjarrvënie në objektin e Gjykatës e kanë pranuar rreth orës 03:55.
“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të zjarrfikësve të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin.
Si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate” ka thënë Veseli.
Ai shtoi se hetimet intensive janë nisur nga organet kompetente, teksa dyshohet se zjarri është vënë nga tre të panjohur.
“Nga hetimet e para dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie nga 3 persona të panjohur, e që hetuesit policor janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejt të këtij rasti” shtoi Veseli./Indeksonline/