O’Conell: Krimi dhe korrupsioni janë kancer për Kosovën por ideja për shfuqizimin e Speciales është infarkt
Ambasadori britanik, Ruairi O’Conell ka folur lidhur me deklaratën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për atë se Gjykata Speciale do të formohet dhe se klasa politike nuk ka fuqi të ndalojë atë.
O’Conell ka thënë se shpreson se politikanët janë bindur por se sërish mbetet i shqetësuar.
“Jam i shqetësuar se është shumë e rrezikshme dhe nëse dikush mendon se nuk është e rrezikshme dhe pa pasoja atëherë kam qenë mjaft kohë në Kosovë dhe Ballkan të mos besojë në atë derisa të kryhet përfundimisht. Jemi në një fazë shumë interesante tash për tash dhe kjo ndikon në qëndrimet e tjera lidhur me Gjykatën. Pse kemi dalë aq shpejtë dhe aq qartë për këtë çështje dhe jo për të tjerat atë natë është se kjo ka qenë tejet e rëndësishme. Kam thënë shumë herë se krimi dhe korrupsioni janë kancer por kjo ka qenë infarkt që mund të mbysë Kosovën menjëherë dhe çështjet e tilla janë të rëndësishme për t’u trajtuar si çështje të interesit të parë shtetërorë”, ka thënë O’Conell në KlanKosova, shkruan Indeksonline.
Ai gjithashtu ka shtuar se shpreson që nuk guxojnë dhe nuk e kanë ndërmend të luajnë me këtë pasi çështjet kombëtare janë shumë të rëndësishme.
Duhet shtuar se natën kur u tentua të shfuqizohej Ligji për Gjykatën Speciale ambasadori britanik, O’Conell pati thënë se kjo natë ishte nata më e rrezikshme pas luftës në vend./Indeksonline/