75 Mall Live Search
23:06 / E Martë, 09 Prill 2024 / MSH

Sveçla publikon pamje të automjetit që iu vendos eksploziv ne Leposaviq

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje ekskluzive të automjetit në Leposaviq, ku u gjenden eksplozivë.

Sipas Sveçlës, kjo nuk është asgjë tjetër përpos tendencës së Serbisë për të kontrolluar pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

“Kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha. Tani, shteti ligjor është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës sonë. Siguri, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim dhe llogaridhënie për shkelësit e ligjit” ka shkruar Sveçla në Facebook.

Rasti në fjalë është konfirmuar edhe nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Sot rreth orës 11.00 Policia ka pranu informacion se nën një veturë në qytetin e Leposaviqit gjendet një mjet i dyshimtë i pashpërthyer. Policia ka reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes janë përgjigjë njësitë relevante policore duke përfshirë edhe Njësinë K9 dhe EOD të Policisë. Prezent ishin edhe EOD e KFOR-it amerikan. Mjeti i pashpërthyer është tërhequr nga vendi në mënyrë të sigurt, ndërsa policia rreth orës 16:20 është largu nga vendi i ngjarjes. Në konsultim me Prokurorin, rasti është cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe po hetohet nga ana jonë” ka thënë Elshani për Indeksonline.

Ndërkohë, ky është reagimi i plotë i ministrit Xhelal Sveçla:

Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm. Tendenca për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses.

Zërat kundërshtarë në radhët e komunitetit po shtohen çdo ditë, për të çliruar qytetarët nga gangsterët dhe kuazi politikanët pro Serbi.

Kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha. Tani, shteti ligjor është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës sonë. Siguri, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim dhe llogaridhënie për shkelësit e ligjit.