Eksplozivi ishte serb, policia jep detaje të reja mbi mjetin shpërthyes që u gjet në një veturë në Leposaviq

Gjatë ditës së djeshme u raportua se në një veturë në Leposaviq është gjetur eksploziv.
Rasti në fjalë u konfirmua nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se mjeti shpërthyes është tërhequr nga vetura.
“Sot rreth orës 11.00 Policia ka pranu informacion se nën një veturë në qytetin e Leposaviqit gjendet një mjet i dyshimtë i pashpërthyer. Policia ka reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes janë përgjigjë njësitë relevante policore duke përfshirë edhe Njësinë K9 dhe EOD të Policisë. Prezent ishin edhe EOD e KFOR-it amerikan. Mjeti i pashpërthyer është tërhequr nga vendi në mënyrë të sigurt, ndërsa policia rreth orës 16:20 është largu nga vendi i ngjarjes. Në konsultim me Prokurorin, rasti është cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe po hetohet nga ana jonë” ka thënë Elshani për Indeksonline.
Ndërkohë, policia ka ndarë detaje të reja mbi rastin, raporton Indeksonline.
Sipas policisë, paketimi me eksploziv plastik është PENT, prodhim serb.
Njësia për deminim ka tërhequr edhe një detonator elektrik, një bateri 9 voltëshe, 6 magnete dhe një tel përçues.
“Ankuesi deklaron se nuk ka problem me askënd, mirëpo ai dyshon se vendosja e eksplozivit është bërë në shenjë hakmarrjeje e frikësimi, pasi ai punon në institucionet e Republikës së Kosovës” thuhet mes të tjerash në njoftimin e policisë.
Rasti ndërkohë është dënuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Duke publikuar pamje të veturës që kishte eksplozivë në pjesën e poshtme të saj, Sveçla ka thënë se Serbia po tenton të kontrollojë serbët e veriut.
“Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm. Tendenca për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses” shkroi Sveçla./Indeksonline/