75 Mall Live Search
08:09 / E Shtunë, 11 Maj 2024 / FR

Radosavleviç: Serbët e Kosovës ndihen humbës pavarësisht fatit të Asociacionit

Drejtuesja e Nismës së Re Shoqërore, organizatë serbe e shoqërisë civile nga Mitrovica e Veriut në Kosovë, Jovana Radosavleviç tha se komuniteti serb në Kosovë po jeton në një gjendje të vazhdueshme tensioni, si pasojë e mungesës së gatishmërisë së udhëheqësve në Serbi dhe Kosovë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Radosavleviç tha se Qeveria e Kosovës nuk po dëgjon shqetësimet e tyre dhe se kjo qasje po rrit ndikimin e Beogradit tek serbët e Kosovës.

Të vënë në mes ndjenjës së tradhtisë nga Beogradi dhe armiqësisë nga Prishtina, siç thotë ajo, serbët e Kosovës nuk i besojnë procesit të dialogut dhe mendojnë se se do të jenë humbës pavarësisht rezultatit.

“Deri në një masë ka, por mendoj se duhet thënë se po përjetojmë një boshllëk serioz udhëheqjeje krahas boshllëkut institucional në të cilin po jetojnë serbët e Kosovës. Në këtë boshllëk udhëheqjeje, kemi Listën Serbe, partinë kryesore që përfaqëson komunitetin serb në nivelin qendror dhe lokal, që është kryesisht e heshtur. Pastaj kemi daljen në skenë të opozitës së serbëve të Kosovës, që kanë qenë të zëshëm për çështje të caktuara. Por mendoj se përqëndrimi kryesor i tyre është t’u japin përgjigje krizave aktuale dhe çështjeve të menjëhershme që janë konkrete sepse të gjithë janë të vetëdijshëm se të gjitha palët po hezitojnë për të avancuar Asociacionin ngaqë ai nënkupton konsolidimin përfundimtar të shtetësisë së Kosovës, siç shihet nga perspektiva e serbëve, përmbylljen e kapitullit sa i përket integrimit të serbëve në sistemin e Kosovës. Por nga ana e Kosovës, kjo qeveri seriozisht heziton të hedhë hapa, duke marr parasysh që partia në pushtet ishte protagoniste kryesore kundër themelimit të Asociacionit dhe i dha formë teorisë se bëhet fjalë për një Republikë Serbe të re, si faktor përçarës për shtetin e Kosovës e kështu me radhë.

Komuniteti vendas është shumë mosbesues ndaj tërë këtij procesi në nivelin politik. Siç e thashë, (serbët) ndihen pezull mes ndjenjës së tradhtisë nga Beogradi dhe armiqësisë nga Prishtina. Nuk i besojnë askujt. Përshtypja e tyre është se cilido që të jetë rezultati, ata do të jenë humbës. Në një mënyrë, i kuptoj sepse mendojnë se gjithmonë është bërë fjalë për territorin, për intergimin e institucioneve dhe jo gjetjes së mënyrës për t’i integruar njerëzit dhe mendoj se ky është problemi kryesor me të cilin po përballemi.” – tha ajo.