Abdixhiku i thotë “Jo” ftesës së Kurtit për takim: E konsideroj të vonuar!

Kryeministri Albin Kurti ftoi opozitën për një takim pune për ditën e hënë.
Indeksonline raporton se Lidhja Demokratike e Kosovës iu ka përgjigjur negativisht kësaj ftese.
“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre” thuhet në letrën që Abdixhiku i ka dërguar kryeministrit Kurti.
I pari i LDK-së thotë se në vend të takimit, do të vazhdojë të jetë përkrahëse e interesave madhore të Republikës.
“Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politik i japin dhe qëndrimet tona partiake” thuhet tutje.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka njoftuar se e ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune.
Në një prononcim për Indeksonline, zëdhënësi i PDK-së Faton Abdullahu, është shprehur se kryetari i partisë Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim i cili do të mbahet të hënën.
Abdullahu potencoi se qëndrimi i PDK-së është i qartë dhe konsistent, dhe se Kosova është në krizë në çdo fushë.
Kjo është letra e plotë që Abdixhiku i dërgoi Kurtit:
I nderuar Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti,
Uroj që jeni mirë dhe se punët po ju shkojnë mbarë!
Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok.
Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politik i japin dhe qëndrimet tona partiake.
Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani.
