Gjendet turistja franceze që ishte zhdukur në malet shqiptare

Policia shqiptare dhe një grup i përbërë nga alpinistë me përvojë, ka mundur të shpëtojë një turiste franceze, e cila rezultonte e humbur prej disa ditësh në Malin e Çikës në Shqipëri.
Ajo është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore. Turistja me origjinë nga Franca kishte humbur kontaktet prej disa ditësh.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në një reagim në rrjetet sociale, duke publikuar pamjet nga momentet e shpëtimit të turistes nga Franca, u shpreh se ky është një lajm i mirë.
“Lajm i mirë. Turistja franceze e cila kishte humbur kontaktet prej disa ditësh në Malin e Çikës, është mirë dhe po kthehet bashkë me shërbimin e shpëtimit dhe me alpinistët, të cilët u angazhuan për gjetjen e saj. Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit”, shkruan Balla, raporton RTSH.
Kujtojmë se Mali i Çikës është 2045 metra i lartë dhe konsiderohet si një nga majat më të larta të relievit të thyer shqiptar. Për alpinistët profesionistë është një nga zonat më sfiduese që përdoret për stërvitje dhe ski gjatë sezoneve të përshtatshme.
Çika mbi malet e Llogorasë është një nga ndalesat e përfshira në guidat e shumë agjencive turistike, për zbavitje pranë natyrës dhe për ecje të një niveli vështirësie të konsiderueshëm.