75 Mall Live Search
22:19 / E Enjte, 04 Korrik 2024 / Gj. Sh

Festimi i golave ndaj Austrisë i kushton Demiralit me dy ndeshje moslojë

Mbrojtësi i Turqisë, Merih Demiral, është dënuar me dy ndeshje moslojë nga UEFA.

Shkak është bërë festimi i tij pasi shënoi dy gola në ndeshjen e 1/8 së finales në Kampionatin Evropian, kundër Austrisë, shkruan IndeksOnline.

Sipas gazetës gjermane ‘Bild’, Demiral do të pezullohet për dy ndeshje të Kampionatit Evropian dhe për këtë arsye do të humbasë çerekfinalet kundër Holandës.

Festimi i 26-vjeçarit është simbol i “Ujqërve Gri”, një lëvizje ekstremiste e krahut të djathtë turk. Organizata është monitoruar prej vitesh nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani.

Shoqata turke tha të enjten në mbrëmje se nuk kishte njohuri për vendimin e UEFA-s. Megjithatë, do të kishte një afat të mbrojtjes deri të premten në mëngjes për të paraqitur argumentet kundër ndalimit.

Mesazhet politike janë të ndaluara gjatë Kampionatit Evropian.

Kujtojmë që për thirrje raciste dhe politike, nga UEFA me dy ndeshje moslojë është dënuar edhe futbollisti i Shqipërisë, Mirlind Daku./IndeksOnline/