Vrasja e policit serb, këto janë detajet e fundit!

Mbrëmë pas mesnatës, një polic serb është vrarë në zonën kufitare në Loznicë të Serbisë.
Mediat serbe shkruajnë se qitësi është kosovari Artan Hajrizi. Artani dyshohet se është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nëntë herë nga burgjet ndërsa aktualisht në arrati dhe i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare.
Faton Hajrizi, për herë të fundit është arratisur para dhjetë ditësh, ndërsa prej atëherë e sfidon shtetin duke u paraqitur në rrjetet sociale.
E për rastin e ndodhur mbrëmë është deklaruar edhe Ministria e Brendshme e Serbisë.
“Sonte rreth orës 00:55 në Loznicë, gjatë kontrollit të automjeteve në postbllokun në Lipnicki Sor, policët e stacionit kufitar të Trbushnicës gjatë daljes kanë ndaluar një ‘Mercedes’ me targa të Tutinës, në të cilin ndodheshin dy persona. Një person ka gjuajtur me pistoletë duke e goditur policin NK (1990) në gjoks, dhe policin VI (1974) në shpatull, pas së cilës i njëjti ka ikur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka publikuar një fotografi të personit që thuhet se ka kryer vrasjen me emër të Artan Hajrizit.
Në rast ka mbetur i vrarë polici Nikola Kërsmanoviq dhe ka mbetur i plagosur polici tjetër, Vjekosllav Iliq./IndeksOnline/