Detaje të reja për burrin që plagosi sot gruan në Fushë Kosovë

Prokuroria ka dhënë detaje të reja për burrin që plagosi sot gruan në Fushë Kosovë. Prokuroria ka konfirmua se i njëjti ishte ndaluar tre ditë më parë për dhunë në familje.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie, më datë 02.08.2024 në ora 17:30, ka ndaluar të pandehurin I.A, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhunë në familje’’ nga neni 248 të KPRK-së. Ju njoftojmë se më datë 04.08.2024, Prokurori i Shtetit ka ngritur Aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A.
Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak.
Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Ndërkaq, sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I.A, është arrestuar në fshatin Bresje, në Fushë Kosovë, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’ nga neni 173 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i KPRK-së dhe ‘’Mospërfillja e gjykatës’’ nga neni 393 të KPRK-së.
Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe, ka vizituar të dëmtuarën e rastit, e cila është në trajtim në SHSKUK në Prishtinë, ndërsa ndaj të pandehurit IA, ka lëshuar Aktvendim mbi ndalim.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke punuar intensivisht me qëllim të ndriçimit të rrethanave të cilat i kanë paraprirë kryerjes së këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim./Indeksonline/