75 Mall Live Search
19:10 / E Mërkurë, 21 Gusht 2024 / H F

“E nxora revolën dhe ia drejtova vetes”, rrëfimi shokues i policit që thotë se u rrah nga eprori i tij!

Sylejman Havolli nga Komuna e Klinës, për herë të parë uniformën e policit e veshi në vitin 1982, gjithmonë me dëshirën për t’i shërbyer vendit.

Megjithatë, marrë parasysh rrethanat në të cilat gjendej vendi ynë, u detyrua të largohet nga vendi i punës, ashtu siç kishin vepruar një pjesë e madhe e vendësve tanë.  

Pas përfundimit të luftës, Havollit i lindi dëshira më shumë se kurrë më parë, që të vishte përsëri uniformën e policit, por këtë herë me emblemën e flamurit të Kosovës.

Kështu, Havolli ishte i angazhuar në patrullim dhe në Njësitin për komunitete dhe thotë se shërbente për qytetarët vendas me vullnetin më të madh të mundshëm.

Deri në vitin 2010, Havolli thotë se gjithçka shkoi mirë, derisa në fundin e dhjetorit të këtij viti, i ndodhi e papritura, transmeton IndeksOnline.

Më 24 dhjetor 2010, Havolli u urdhërua që bashkë me një kolegun tjetër të dilnin për patrullim, e që rrugës edhe u aksidentuan.

Për aksidentin në fjalë, Havolli nuk lë në faj veten, pasi sipas tij, makina që drejtojë ishte pa regjistrim, pa kontroll teknik, e që po ashtu edhe timonin e kishte të kthyer nga hidrauliku në mënyrë mekanike.

E në këtë rast, gjithmonë sipas tij, togeri falsifikoi dokumentet, duke tentuar që fajtor të etiketonte Havollin.

Tutje, Havolli thotë se detyrën e tij e ka kryer me plotë përgjegjësi, derisa përmend faktin se për angazhimin e tij ka marrë dekorata dhe vlerësime edhe nga misioni i UNMIK-ut.

Por, telashet e mëdha për policin nga Klina, erdhën pak vjet para pensionimit, transmeton IndeksOnline.

Shkak u bë një pushim mjekësor prej tri ditësh, në qershorin e vitit 2022, e që gjithmonë sipas tij, kanë qenë në protokoll dhe në mënyrën e duhur.

Dita vazhdoi me telefonatën e rreshterit të tij, Osman Zeqiri, i cili mohoi të ketë dokumentet e nevojshme të Havollit sa i përket pushimit mjekësor.

E që pas kësaj, sipas policit klinas, u vazhdua me dhunë psikike dhe fizike ndaj tij.

Osman Zeqiri, Riza Regjiq dhe Alia Patilloviq, janë tre emrat që Havolli thotë se demoralizuan duke ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tij.  

Havolli thotë se si shkak i presionit të vazhdueshëm dhe depresionit që i shkaktuan, pa vetëdije ka dashur që para të lartëpërmendurve Zeqirit, Regjiqit dhe Patilloviqit të kryente vetëvrasje.

Ndër momentet më të rënda në jetën e tij, Havolli përshkruan edhe momentin kur i është marrë uniforma që e barti për vite të tëra.

Gjithë gjithë kësaj kohe, Havolli thotë se nuk ka lënë derë pa trokitur për të zbardhur drejtësinë. Për rastin e tij, me dokumente e vërteton se të informuar kanë qenë IPK, Avokati i Popullit si dhe standardet profesionale- Dhoma për Verifikimin e të kaluarës dhe shpërblimet.

Për më shumë detaje, ndiqeni rrëfimin e tij të plotë, dhënë ekskluzivisht për IndeksOnline.