I mori telefonin dhe çantën, ngrihet aktakuzë ndaj grabitësit që sulmoi një grua, në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Grabitja”.
Sipas aktakuzës, më datë 10.06.2024, në orën 23:24 në Rr. ‘’Zara’’ në Prizren, me përdorim të forcës, sulmon jetën apo trupin e personit tjetër duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë, në atë mënyrë që derisa viktima F.K., ishte duke ecur përgjatë rrugës në fjalë, i njëjti në mënyrë dinake i vihet nga pas dhe në mënyrë jashtëzakonisht të dhunshme e godet viktimën me grusht në anën e djathtë të fytyrës së saj, e cila menjëherë mbeti pa ndjenja në tokë.
Me këtë rast, i dyshuari shfrytëzoi momentin e volitshëm, duke përvetësuar telefonin dhe çantën e saj dhe largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar viktimës F.K., dëm pasuror dhe lëndime të lehta trupore, të konstatuara sipas akt-ekspertimit mjekoligjor.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.