Jehona Lushaku: Sot po nisim reformën thelbësore në arsim – në pesë shkolla fillon mësimi tërëditor

Në kohën kur Kosova përballet me sfida të mëdha në sektorin e arsimit, me rezultate të ulëta në testin ndërkombëtar PISA, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë një reformë të rëndësishme, duke nisur mësimin tërëditor në pesë shkolla fillore.
Reforma e udhëhequr nga drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Jehona Lushaku synon të ofrojë një qasje më të strukturuar ndaj edukimit të fëmijëve, duke përmirësuar kushtet mësimore dhe duke ofruar një mjedis më mbështetës për zhvillimin e tyre akademik.
Lushaku beson se ky model i mësimit tërëditor do të mund të shtrihet në të gjithë Kosovën, për të rritur cilësinë e arsimit në Kosovë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë fëmijët.
Lushaku ka thënë se kanë bërë përgatitje të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës shkollore.
“Në objektet e këtyre shkollave, kemi bërë gëlqerosjen, kemi rinovuar sistemet e ventilimit, ndriçimin dhe po rregullohen hapësirat e gjelbra në oborre. Po ashtu kemi përshtatur ambientet e klasave për të bërë të mundshëm digjitalizimin e shkollave. Të gjitha këto shkolla tani janë të pajisura me tabela digjitale, që do të ndihmojnë në modernizimin e procesit mësimor”, ka thënë Lushaku për Indeksonline.
Sipas Lushakut, nxënësit do të përfitojnë shumë nga infrastruktura e përmirësuar dhe ushqimi cilësor që po shërbehet.
“Për këtë reformë në shkollat e kryeqytetit edhe Kuzhina Qendrore e Prishtinës ka zgjeruar kapacitetet e saj për të siguruar ushqim të shëndetshëm dhe cilësor për nxënësit tanë. Për nxënësit është përgatitur një meny nga nutricionistja jonë e njohur, Vala Pupovci”, ka thënë Lushaku.
Mësimi tërëditor do të nisë në pesë shkolla të Prishtinës, për nxënësit e klasave 1 deri në 5.