Kurti pret sot në një takim kryediplomatin e Turqisë

Kryeministri Albin Kurti do ta presë sot në një takim kryediplomatin e Turqisë, Hakan Fidan, i cili ka arritur mbrëmë në Kosovë.
Sipas njoftimit që ka lëshuar Zyra e kryeministrit, Kurti e Fidan do të takohen në orën 13:30.
Paraprakisht, Fidan-i do të ketë takim me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën.
Sipas njoftimit të MPJ-së turke, “gjatë takimeve do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe si edhe zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare”
“Ministri Fidan do të vizitojë Prizrenin dhe Mamushën dhe do të takohet me komunitetin turk dhe përfaqësuesit e tij”.
Fidan do të vizitojë edhe shtabin e KFOR-it.
Vizita e Fidan-it, në Kosovë, ndodh në një kohë kur autoritetet turke kanë arrestuar një shtetas të Kosovës, për të cilin shërbimi sekret turk tha se është pjesëtar i shërbimit izraelit të inteligjencës Mosad.