75 Mall Live Search
20:19 / E Premte, 13 Shtator 2024 / MSH

9 shkurti i rikthen deputetët e VV-së në debatet televizive

Me rikthimin nga pushimi veror i debateve politike në televizione, u rikthyen edhe paraqitjet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët për mbi 3 vjet e gjysmë mandat, jo shumë shpesh i kemi parë nëpër media.

Më të shpeshta se paraqitjet televizive, kanë qenë sulmet dhe fyerjet që disa nga deputetët e Vetëvendosjes, ua kanë bërë mediave, siç është rasti i deputetit, Dimal Basha, i cili në qershor të këtij viti tha se “kjo qeveri ua ka ndalë tagjinë, asnjë cent nuk ua jep medieve”.

Mirëpo, duket se partia në pushtet është “aktivizuar” për të debatuar pak para fushatës së zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Vetëm gjatë ditës së enjte, në “Debat Plus” ishin dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj dhe Enver Haliti.

Përderisa edhe në një emision të televizionit “Tëvë 1”, ishte zëvendësministri i Drejtësisë, Sallahu, i njohur për fjalinë e famshme ‘Shpejtësia me të cilën punojmë krahasohet me atë të shpërndarjes së vajit në tepsi’’.

Kjo qeveri në krye me Albin Kurtin, është kritikuar nga raporte të ndryshme ndërkombëtare për mos-transparencë.

E për një gjë të tillë është kritikuar vazhdimisht edhe nga partitë opozitare.

Por, përveç mos-transparencës qeveria Kurti është kritikuar edhe për raportin me mediat.

Sulmet e pushtetit kundër mediave

Nuk janë të rralla sulmet e personave të pushtetit ndaj mediave.

Kjo më së miri tregohet në Indeksin e Reporterëve pa Kufij, ku thuhet se Kosova ka një rënie të madhe të lirisë së mediave në Kosovë, duke u renditur 19 vende më poshtë se vitin e kaluar.

Madje ky vlerësim u konsiderua si më negativi që ka marrë Kosova ndonjëherë në fushën e lirisë së mediave.

Arsyet kryesore për këtë rënie raporti kishte përmendur presionet e Qeverisë Kurti ndaj gazetarëve, tentimin e Qeverisë për të mbyllur Klan Kosovën dhe ndikimet e ekzekutivit në pavarësinë e RTK-së.