75 Mall Live Search
16:06 / E Premte, 20 Shtator 2024 / Gj. Sh

Prishtina mban Kuvendin e Punës, i jepet mbështetje projektit afatgjatë të klubit

Klubi më i trofeshëm shqiptar i basketbollit KB Sigal Prishtina, ka mbajtur mbrëmë Kuvendin e punës, ku mori mbështetje të plotë nga delegatët, anetarët e bordit dhe Plisat.

Në këtë Kuvend u diskutua për sezonet e fundit dhe sezonin aktual.

Po ashtu janë diskutuar edhe raportet financiare të viteve të fundit, dhe Auditimi i klubit prej kur ka hyrë në fuqi ligji i sponsorizimit, dokumente këto të dorëzuara edhe pranë institucioneve përkatëse.

Kryetari i klubit Blerand Stavileci në këtë kuvend ka diskutuar me delegatët, anetarët e bordit dhe Plisat për problemet që klubi i ka me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), me të cilën ka marrëveshje dhe deri më tani, pra për një vit e gjysmë janë paguar 178 mijë e 588 euro.

Pastaj për lëndën përmbaruese që së fundmi ish drejtori i klubit Ismet Rexhepi e ka fituar me vendim të Gjykatës në vitin 2007, dhe tek në vitin 2024 klubi Sigal Prishtina detyrohet që ta paguajë këtë borxh në shumën prej 50.000 eurove, edhe pse ai mekanizëm është inekzistent dhe klubi nuk mund ta shfrytëzojë.

Gjithashtu është diskutuar gjerë e gjatë për problemet aktuale me Komunën dhe mosdisbursimin e mjeteve në vlerë prej 50 mijë euro për shkak të bllokimit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Financave për arsye absurde, vendim ky nga i cili po vuajnë të gjitha klubet me emrin Prishtina.

U fol edhe për problemet me Sallën, terminet, zhveshtoret, zyret e klubit, të cilat nuk kanë ekzistuar në të kaluarën, e të gjitha këto ngase ende nuk e kemi një sallë që do t’i plotësonte mjaftueshëm nevojat e një klubi profesional.

Edhe përkundër këtyre vështirësive të shumta e të mëdha, në fokus ishte vizioni i klubit Prishtina për të ardhmen, ku të gjithë dhanë mbështetjen edhe me votim unanim që të vazhdohet me punën që është nisur në këtë sezon, duke krijuar lojtarë dhe talentë të rinj e që në qytetin e Prishtinës nuk mungojnë.

Kuvendarët kërkuan që të gjithë dashamirët e Prishtinës të bëhen bashkë dhe ftuan të gjithë që kanë interesim ta bëjnë këtë dhe të marrin pozita meritore në klub, nga pozitat teknike e deri te ajo e kryetarit të klubit me vetëm një qëllim – për ta jetësuar vizionin e Prishtinës model, e cila deri më tani ka fituar 40 Trofe, 3 tituj ndërkombëtarë, i ka 76 fitore në arenën ndërkombëtare, e vetmja që ka arritur ne Top 16 të Fiba Europe Cup, e vetmja që e ka përfundu një sezon të plotë pa asnjë humbje, si dhe shumë suksese të tjera.

Në fund Plisat e thanë fjalën e tyre, dhe i dhanë mbështetje klubit për vizionin e ri që është nisur e poashtu kërkuan që edhe sukseset të mos mungojnë.

Pra, Klubi i Basketbollit Prishtina ka nisur një projekt ambicioz pesëvjeçar, që synon zhvillimin e qëndrueshëm të klubit dhe basketbollit në vend.

Ky projekt është konceptuar për të ndërtuar një bazë të fortë për suksesin afatgjatë, me qëllimin që të shihen rezultatet konkrete brenda pesë viteve të ardhshme.

Si gjithmonë, Prishtina mbetet shembull i vizionit dhe përkushtimit ndaj basketbollit, duke ndjekur rrugën e nismave që kanë ndikuar pozitivisht në sportin e qytetit dhe më gjerë.