75 Mall Live Search
14:03 / E Martë, 24 Shtator 2024 / L K

Sveçla: Aktakuza për Banjskën e anashkalon përgjegjësinë e institucioneve të Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se aktakuza që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e sulmit në Banjskë, është “e vonshme dhe e paplotë”.

Ajo, sipas tij, nuk përfshin disa komandantë të ushtrisë serbe, të cilët, siç thotë, “e kanë mundësuar trajnimin e grupit terrorist, por edhe e kanë furnizuar atë me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë”.

“Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë”, thotë Sveçla për Radion Evropa e Lirë.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Udhëheqësit e Kosovës kanë fajësuar vazhdimisht udhëheqjen e Serbisë për këtë sulm, edhe pse ajo e ka mohuar përgjegjësinë.

Pak ditë para përvjetorit të parë të sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një aktakuzë për rastin, që implikon 45 persona.

Radio Evropa e Lirë: Një vit nga sulmi në Banjskë, si është sot situata e sigurisë në Kosovë?

Xhelal Sveçla: Një vit pas atij sulmi të tmerrshëm terrorist, situata në Kosovë është shumë, shumë më e mirë. Mund të them lirisht që është e qetë dhe stabile në të gjithë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku për këta katër vjet gati të qeverisjes sonë, por edhe që nga paslufta, kemi pasur incidente, probleme, çështje serioze të pasigurisë – qoftë publike, qoftë tentim të cenimit të integritetit territorial. Por, lirisht mund të them se kemi një situatë plotësisht ndryshe.

Radio Evropa e Lirë: Dëgjojmë vazhdimisht deklarata, përfshirë edhe nga kryeministri Albin Kurti, për kërcënime nga Serbia. Ju, a mund të ndani diçka më shumë me ne?

Xhelal Sveçla: Në vazhdimësi ka informata inteligjente, jo vetëm tonat, por edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, se grupe të njëjta – apo për nga numri edhe më të mëdha – vazhdojnë të trajnohen në territorin e Serbisë, përreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe më në thellësi.

Kjo patjetër që është një brengë e shtuar për institucionet tona të sigurisë, në kuptimin që jemi të obliguar të parashikojmë e pastaj të parandalojmë çfarëdo tendence për sulme, të cilat do të cenonin integritetin, sovranitetin, sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe të pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë.

Në të njëjtën kohë, kemi në vazhdimësi armatosje të Serbisë, qoftë të ushtrisë apo edhe të njësiteve speciale të policisë së Serbisë, të cilat në të kaluarën kanë provokuar Kosovën dhe e kanë sulmuar Kosovën në një apo mënyrë tjetër.

Armatosja e një vendi, i cili nuk të njeh dhe në aspektin diplomatik dhe retorik të sulmon, është arsye për t’u brengosur, por nuk është arsye as për t’u frikësuar, e as për të hequr dorë nga aspiratat legjitime të popullit tonë, të vendit tonë për t’u anëtarësuar në organizata të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mund të thoni se institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën…

Xhelal Sveçla: Po, institucionet e sigurisë e kanë nën kontroll situatën dhe mund të them se janë edhe më të përgatitura se më herët, për t’u përballur me çfarëdo skenarësh.

“Kemi dëshmi” që ushtarakët serbë i kanë trajnuar dhe financuar sulmuesit në Banjskë

Radio Evropa e Lirë: Një vit pas sulmit në Banjskë kemi një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila implikon mbi dyzet persona, por vetëm tre prej tyre janë në paraburgim në Kosovë. A prisni ekstradimin e Radoçiqit dhe të tjerëve nga Serbia?https://www.youtube.com/embed/9t66LFJxAPY?&&&fs=1&enablejsapi=1&rel=0

Xhelal Sveçla: Më në fund kemi një aktakuzë që për mua është e vonshme, por edhe e paplotë, duke qenë se ne e dimë që kanë qenë diku rreth njëqind terroristë të kyçur drejtpërdrejt në këtë sulm. Po ashtu, ka qenë evidente organizimi dhe përkrahja nga ana e institucioneve të Serbisë.

Për shembull, ne kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë.

E, çuditërisht, në aktakuzë nuk është as komandanti i kësaj kazerme, as zëvendëskomandanti i kazermës, as komandanti i Ushtrisë së Serbisë, e pse jo edhe vetë Vuçiq në qoftë se ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë sulm. Por, për këta tre të parët që i përmenda, tashmë kemi dëshmi që jo vetëm e kanë mundësuar trajnimin e këtij grupi terrorist, por edhe e kanë furnizuar këtë grup terrorist me armatimin ushtarak që ne e kemi zënë.

Prandaj, po them që kjo aktakuzë është pak e vonshme, por edhe e paplotë.

Megjithatë, unë jam i bindur se duke punuar më shumë, duke u fuqizuar më shumë, duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar që ta rrisë presionin ndaj Serbisë, Serbia, herët a vonë, do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët.

Fundi i fundit, sipas ligjeve të Kosovës, gjykimi në mungesë mund të ndodhë dhe pastaj, pas aktgjykimit, këta terroristë do të mund të kërkohen edhe përmes Interpol-it dhe lëvizja e tyre do të kufizohej jashtëzakonisht shumë.

Në të njëjtën kohë, ne duhet të bëjmë që Serbia të paguajë një çmim të shtrenjtë për mosakomodimin e kërkesave legjitime të drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni që nuk janë përfshirë këto dëshmi që ju i përmendët në aktakuzë?

Xhelal Sveçla: Unë besoj se kjo është pyetje për Prokurorinë Speciale. Unë, duke qenë se i kam parë dëshmitë, jam i bindur… por edhe profesionistë të fushave juridike e të sigurisë e ngrenë të njëjtën çështje: pse me këtë aktakuzë, në njëfarë mënyre apo tjetër, anashkalohet përgjegjësia e individëve dhe institucioneve të Serbisë në këtë sulm terrorist?!

“Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ndiejnë presionin ndërkombëtar”

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se bashkësia ndërkombëtare po i bën mjaftueshëm thirrje Serbisë për ekstradimin e të pandehurve?

Xhelal Sveçla: Jo, nuk shoh ndonjë presion të veçantë. Thirrje ka, por përderisa këto thirrje mbesin deklarative, ato nuk do të përmbushen nga Vuçiqi. Mendoj se Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ndiejnë presionin ndërkombëtar, ta ndiejnë personalisht presionin ndërkombëtar, në mënyrë që ata t’i nënshtrohen kësaj kërkese legale.

Megjithatë, unë jam pak skeptik, sepse jam i bindur se ky sulm ka ndodhur nën tutelën e Vuçiqit, që të mos them nën organizimin e drejtpërdrejtë të tij.