Reagon Ministria e Mbrojtjes, thotë se ushqimi i ushtarëve të FSK-së mbetet i njëjtë por me kuzhinierë të huazuar

Nga sot kompanisë së kontraktuar për ushqimin e ushtarëve të FSK-së i ka skaduar kontrata. Indeksonline ka siguruar pamjet e ushqimeve që sot u janë servuar ushtarëve në kazerma. Pasul me suxhuk dhe gullash me mish, të përcjella me supë janë disa nga shujtat e ngrohta që u janë servuar sot ushtarëve në kazermat e FSK-së.
Në tryezë mungojnë pemët dhe lëngjet, të cilat shërbeheshin nga ish-kompania e kontraktuar.

Por Ministria e Mbrojtjes ka thënë se të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së, janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër.
“Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në reagim pëo ashtu thuhet se synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kahmotshëm.