75 Mall Live Search
13:58 / E Mërkurë, 02 Tetor 2024 / mp

Osmani takoi presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së punës në Gjermani ka takuar presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.


Diskutimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si edhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.


Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.


“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, ka theksuar presidentja Osmani.


Procesin e Berlinit, presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.


Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.


Në takim me presidentin  Steinmeier, presidentja Osmani ndër të tjera ka potencuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani, e cila është urë e fuqishme për raportet ndërmjet dy shteteve.


Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.