Macron: BE-ja s’është prioritet i SHBA-së

Europa nuk është më një ndër prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo ishte ajo çfarë deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron, nga Berlini ndërsa bëri thirrje që Unioni 27-anëtarësh të investojë më shumë në industrinë e mbrojtjes dhe të zhvillojë më tej një serë sektorësh që të mos jetë e varur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Macron u shpreh se prioritetet e Washingtonit ndryshojnë në varësi të situatës dhe kohë pas kohe.
“Europa nuk është më prioriteti kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prioriteti kryesor i Shteteve të Bashkuara janë vetë Shtetet e Bashkuara dhe kjo gjë është normale dhe e drejtë. Prioriteti i dytë kryesor i tyre është Kina. Sa i përket pjesës tjetër, varet nga momenti. Ata janë partnerë besnikë dhe po mbështesin Ukrainën në luftën e saj për liri. A do të zgjasë diçka e tillë? Nuk e di. Mundohem të jem i kthjelltë dhe Bashkimi Europian nuk është prioritet i Shteteve të Bashkuara dhe për këtë arsye ne duhet të riformulojmë plotësisht strategjinë tonë të mbrojtjes dhe sigurisë. Ne jemi pjesë e NATO-s dhe kjo nuk ka diskutim. Ne jemi aleatë të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Por ne duhet ta heqim nga mendja se rreziqet me të cilat ne përballemi janë në agjendën e Shteteve të Bashkuara për t’u zgjidhur. Kjo është arsyeja se përse ne duhet të investojmë më shumë për veten tonë.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti francez Emmanuel Macron bën një deklaratë të tillë duke thënë se Europa nuk mund të mbështetet më tek Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e saj. Më herët në muajin prill Macron ishte shprehur se Europa po përballet me një moment krize për shkak të zhvillimeve të fundit të lidhura me nacionalizmin, zhvillimet gjeopolitike si dhe ekstremizmin në rritje.
Nga Berlini, kreu i shtetit francez bëri thirrje për një reformim të shpejtë të Unionit 27-anëtarësh ose në të kundërt, siç tha ai, BE-ja do të jetë jashtë tregut shumë shpejt.