75 Mall Live Search
22:57 / E Diele, 06 Tetor 2024 / G T

Agim Ademi flet për treshen e përjashtuar: Asnjë bisedë s’e kam pasur me ta, ka folur trajneri dhe shtabi teknik

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një intervistë për emisionin sportiv ‘AS’ në RTK, ka folur për zhvillimet e fundit në futbollin kosovar.

Numri një i FFK-së ka folur edhe për treshen e përjashtuar (Edon Zhegrova, Arijanit Muriq, Florent Muslija) para ndeshjes me Qipron.

“Është nën urdhrat e trajnerit dhe normalisht ekipit. Ata e kanë bërë një rregullore dhe bashkë me lojtarët e kanë votuar vetë. Kanë pasur disa dënime të vogla, që mblidhen dhe e hanë një drekë ose i dhurojnë për bamirësi. Kështu e ka krijuar Foda edhe në Austri, ai më së miri e ka bërë këtë punë. Nëse e thyen rregulloren, dënohesh. Është thyer rregullorja për daljen nga kampi”.

“Fillimisht kanë kërkuar falje para lojtarëve. Pastaj publikisht ka dalë edhe Florent Muslija. Nuk besoj që janë të mitur dhe të flet dikush për ta, edhe pse ka ndodhë. Disa njerëz që janë marrë është dashur t’i lanë sepse dinë të flasin vetë”.

“Trajneri iu ka dhënë të lirë sepse unë nuk kam qenë, nuk rri në hotel. Iu ka dhënë të lirë në objektet e hotelit, jo daljen. Zakonisht pas ndeshjeve të tilla që i kemi fituar, atëherë ka pasur dalje deri në një kohë, por kur ndodhin fitore është shpërblime. Atë ditë po e zbuloj edhe këtu, e ka pasur ditëlindja nana e Rashicës, e dini është përmendur edhe babai i Rashicës. Aq i ka ardhur keq për humbjen ndaj Rumanisë, as s’e ka publikuar për t’ia uruar ditëlindjen nënës së tij. Asnjë bisedë s’e kam pasur me ta, ka folur trajneri dhe shtabi teknik”.

“Foda është i pavarur plotësisht. Asnjë person nuk iu ka përzier dhe s’i përzihet në listë ose rregullat që bënë. E ka përgjegjësinë dhe pavarësinë e plotë. Jemi marrë vesh në fillim, na duhet kualifikimi dhe kemi ekipin dhe këtë ia kemi kërkuar, ai ka të drejtën sepse e ka përgjegjësinë nëse nuk ka sukses”, tha Ademi.