75 Mall Live Search
14:37 / E Mërkurë, 09 Tetor 2024 / k.v

Arrestohet një person afër Istogut për kanosje të policëve dhe publikimin e videos në rrjetet sociale

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar në fshatin Saradran të Istogut për kanosje ndaj zyrtarëve policorë dhe publikimin e një videoje në rrjetet sociale. Ngjarja ka ndodhur më 1 tetor 2024, kur policia kishte shkuar për të ekzekutuar një urdhër arresti të lëshuar nga djykata.

Para arrestimit, i dyshuari, pa dijeninë e policëve, kishte bërë një video-incizim ku i kanoste ata, duke publikuar videon më vonë në rrjetet sociale më 8 tetor 2024. Pas këtij publikimi, njësitë policore të stacionit të Istogut, në bashkëpunim me hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë kryer një kontroll-bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.

Gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë e paligjshme, megjithatë i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës vazhdon të trajtojë me seriozitet çdo kërcënim dhe kanosje ndaj zyrtarëve të saj, duke ndjekur me rigorozitet të gjitha rastet që cënojnë sigurinë publike dhe integritetin e forcave të rendit./IndeksOnline/