75 Mall Live Search
10:38 / E Shtunë, 12 Tetor 2024 / Gj. Sh

Sot derbi i rivalëve të vjetër në basketbollin kosovar

Java e pestë në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll do të dhurojë sfida mjaft interesante.

Ndeshja e parë e kësaj xhiro është mes rivalëve të vjetër në basketbollin e Kosovës, Sigal Prishtinës dhe Pejës. Bardhekaltrit kanë tri fitore dhe një humbje në katër xhirot e para, derisa pejanët dy fitore dhe dy humbje. Dy skuadrat me traditë dhe shumë trofe, synojnë fitoren në këtë përballje.

Takim shumë i rëndësishëm është mes Borës dhe Vëllaznimit. Prishtinasit kanë katër humbje në këtë edicion dhe janë në kërkim të fitores së parë në elitë, kurse kuqezinjtë kanë dy fitore e dy humbje.

Takim po ashtu shumë interesant është ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit. Therandasit kanë dy fitore e dy humbje, ndërsa prizrenasit janë skuadra e vetme pa humbje, katër fitore në katër ndeshje.

Xhiroja e pestë përmbyllet me ndeshjen ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Trepçës. Prizrenasit kanë një fitore e tri humbje, kurse mitrovicasit dy fitore dhe dy humbje.

ProCredit Superliga-Java 5

E shtunë

17:00 Sigal Prishtina – Peja

19:00 Bora – Vëllaznimi   

E diel

17:00 Golden Eagle Ylli-Bashkimi

19:00 Proton Cable Prizreni – Trepça