75 Mall Live Search
09:33 / E Enjte, 17 Tetor 2024 / k.v

Arrestohet “i forti” i Lipjanit: Hodhi bomba, shtiu me armë dhe u mor me fajde

Mentor Amerllahi, është arrestuar nga Policia e Kosovës të mërkurën në fshatin Shalë të Lipjanit, si i dyshuar për tenttativë vrasjeje.

Ngjarja e rëndë ishte raportuar më 2 qershor të këtij viti, kur Amerllahi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri dhe ka hedhur dy granata dore në drejtim të një makinerie dhe një kontejneri, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

Në vendngjarje, policia gjeti dy siguresa të granatave të dorës, çka ndihmoi në identifikimin dhe arrestimin e tij.

Pas katër muajsh hetimesh dhe me urdhër të prokurorisë, policia bastisi shtëpinë dhe objektet përcjellëse të Amerllahut, si edhe një pronë private ku sekuestroi 145 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një pistoletë, një DVR, një telefon mobil dhe 2,710 euro para kesh.

Përveç tentativë vrasjes, i dyshuari do të përgjigjet edhe për akuzat e fajdes dhe armëmbajtjes pa leje.

Aktualisht, ai është dërguar në qendrën e mbajtjes, ku pritet një vendim i ri nga organet e drejtësisë./IndeksOnline/