Ka përfunduar kursin për trajner, Ilir Berisha: Do ishte privilegj i madh t’i ndihmoja futbollit kosovar!

Ish-futbollisti i njohur, Ilir Berisha i dha fund fushave të blerta gjatë këtij viti, por nuk e ka ndërmend të largohet nga sporti që e dashuron.
Së fundmi, Berisha është licencuar nga UEFA-ja për trajner dhe ka kryer me sukses kursin A. Gjatë një interviste për Indeksonline.net, ish-lojtari i Prishtinës tregon për planet e tij në të ardhmen.
“Pasi u pensionova nga futbolli aktiv, fillova menjëherë krahas kursit dhe licencimit të jem trajner i grupmoshave te ekipi ku kam luajtur së fundi, Karlstad Football në Suedi. Kam akoma kontratë valide si lojtar, pasi pata nënshkruar një kontratë afatgjate dhe me këtë marrëveshje po ushtroj detyrën e trajnerit në akademinë e klubit.

“Jam pajisur me licencën A dhe tani do të rriten mundësitë në treg, por do jetë mundësi e mirë për t’u rritur edhe në klubin ku tashmë jam dhe kanë filluar bisedime për një rol të ri”, tha fillimisht Ilir Berisha për Indeksonline
Menjëherë pasi u licencua, Berisha pati kontakte nga disa skuadra.
“Kam pasur kontakte me disa klube ku kam luajtur më parë, por jo diçka konkrete pasi për momentin ndihem mirë në detyrën që po ushtroj”, vazhdoi tutje ish-futbollisti
33-vjeçari krahas futbollit europian, luajti edhe te Prishtina në Superligën e Kosovës. Po ashtu, Berisha provoi edhe skuadrat, si: Feronikeli dhe Vitia.

Ai shpreson që një ditë të rikthehet në Kosovë dhe t’i ndihmoj futbollit tonë me eksperiencën që ka.
“Patjetër që do kishte qenë një privilegj me u rikthy në vendlindje për ta ndihmuar futbollin kosovar. Nëse ish dashtë me zgjedh një klub, kisha preferu Prishtinën, që me udhëheq në të ardhmen”, tha ish-lojtari i klubit kryeqytetas
Pasi që luajti në Suedi, Islandë, Shqipëri dhe Kosovë – Berisha bën krahasimin e futbollit europian me atë në vendin tonë.

“Futbolli kosovar ka rritje në cilësi dita e ditës dhe është duke u përfolur në Europë për ecurinë e mirë te Kombëtarja e Kosovës. Gjithashtu edhe pjesëmarrjen e ekipeve kosovare në arenën ndërkombëtare.
“Punohet mbase më taktikisht në vendet skandinave, por nuk kisha dashtë me veçu ndonjë ndryshim drrastik, përpos që tani edhe gjeneratat e trajnerëve të rinjë do e rrisin cilësinë dhe kualitetin në futbollin tonë vendor”, u shpreh Berisha për Indeksonline
Sa i mungon fusha e blertë Ilir Berishës?
“Të them të drejtën nuk e kam vrejtur aq shumë, mbase kam qenë afër fushave të blerta vazhdimisht në rolin e trajnerit. Por, patjetër që më mungon ndjesia, sidomos e ndeshjeve dhe atmosfera në zhveshtore Nuk jam më aktiv si futbollist, por dua të fokusohem tek zeja e trajnerit”.
Kujtojmë që Ilir Berisha për Kombëtaren e Kosovës ka të zhvilluar tri ndeshje./Indeksonline/


