Egjipti propozon armëpushim në Gazë, për të shkëmbyer pengje e të burgosur

Egjipti ka propozuar një armëpushim fillestar dyditor në Gazë për të shkëmbyer katër pengje izraelite të Hamasit për disa të burgosur palestinezë, ka thënë presidenti i Egjiptit të dielën, ndërsa sulmet ushtarake izraelite vranë 45 palestinezë në të gjithë enklavën.
Udhëheqësi egjiptian Abdel Fattah al-Sisi e bëri njoftimin pasi përpjekjet për të zbutur luftën shkatërruese më shumë se njëvjeçare rifilluan në Katar me drejtues të agjencive të inteligjencës amerikane dhe izraelite që kanë marrë pjesë.
Duke folur së bashku me presidentin algjerian Abdelmadjid Tebboune gjatë një konference për media në Kajro, Sisi tha gjithashtu se bisedimet duhet të rifillojnë brenda 10 ditëve nga zbatimi i armëpushimit të përkohshëm në përpjekje për të arritur një armëpushim të përhershëm.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli apo Hamasi, por një zyrtar palestinez i afërt me përpjekjet e ndërmjetësimit i tha agjencisë së lajmeve Reuters: “se pret që Hamasi të dëgjojë ofertat e reja, por mbetet i vendosur që çdo marrëveshje duhet t’i japë fund luftës dhe të nxjerrë forcat izraelite nga Gaza”.
Izraeli ka thënë se lufta nuk mund të përfundojë derisa Hamasi të jetë zhdukur si një forcë ushtarake dhe entitet qeverisës në Gaza.
SHBA-ja, Katari dhe Egjipti kanë qenë në krye të negociatave për t’i dhënë fund luftës që shpërtheu pasi luftëtarët e Hamasit hynë në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 250 pengje, nga izraelitët.
Numri i të vdekurve nga sulmet hakmarrëse ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë po i afrohet shifrës 43,000, thonë zyrtarët shëndetësorë të Gazës që është një enklavë me popullsi të dendur e tani është kthyer në rrënoja.