Trump kritikon Izraelin: Nuk mund të kryejë puna pa vrarë të gjithë të tjerët
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë deklarata befasuese dhe goxha kritike në raport me Izraelin, duke e fajësuar këtë shtet se “nuk mund të kryejë punë pa vrarë të gjithë të tjerët”.
Ai bëri këto komente gjatë një takimi në margjina të samitit G 7 që po mbahet në Evian-les-Bains të Francës, teksa foli për “rehatimin” e Hezbollahut në Liban.
Në lidhje me këtë, Trump deklaroi të martën se i ka sugjeruar Izraelit që Siria të marrë rol në përballjen me grupin që shumë shtete dhe qeveri të botës e vlerësojnë si terrorist, duke shtuar se mendon që autoritetet siriane mund ta menaxhojnë më mirë këtë çështje.
“I sugjerova Izraelit që ta lërë Sirinë të merret me Hezbollahun, sepse, për të qenë i sinqertë me ju, mendoj se ata do të bënin një punë më të mirë”, tha presidenti amerikan, transmeton AP, përcjellë KosovaPress.
Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme, Trump e quajti Hezbollahun një problem të vazhdueshëm, ndërsa theksoi se Izraeli ka kohë që po lufton kundër grupit libanez, duke mos kursyer edhe ata që janë të pafajshëm.
“Izraeli po lufton me Hezbollahun për shumë kohë dhe po vriten shumë njerëz. Nuk ke nevojë të rrëzosh një ndërtesë banimi sa herë që kërkon dikë, sepse në ato ndërtesa ka shumë njerëz dhe jo të gjithë janë pjesëtarë të Hezbollahut”, deklaroi ai.
Trump vlerësoi gjithashtu presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, duke thënë se ai ka arritur ta stabilizojë vendin në një kohë të shkurtër.
“Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme në bashkimin e vendit. Nuk është ndonjë ‘boy scout’, por ka bërë një punë të mrekullueshme. Ai nuk e pëlqen Hezbollahun dhe është shumë i aftë”, tha Trump.
Sipas presidentit amerikan, Al-Shara dhe Siria mund të luajnë rol më të madh në frenimin e Hezbollahut nëse Izraeli nuk mund ta bëjë këtë pa shkaktuar viktima të shumta civile.
“Nëse Izraeli nuk mund ta kryejë punën pa vrarë të gjithë të tjerët, atëherë ai do ta kryejë punën. Siria do ta kryejë punën”, u shpreh Trump.
Siria ka një marrëdhënie të gjatë dhe të ndërlikuar me Libanin. Trupat siriane mbajtën një prani ushtarake në Liban nga viti 1976 deri në vitin 2005.

