75 Mall Live Search
09:20 / E Mërkurë, 30 Tetor 2024 / k.v

Arrestohet një çift në Ferizaj për deklarim të rremë

Mbrëmë, policia në Ferizaj arrestoi dy persona të dyshuar për deklarim të rremë, lidhur me një ngjarje të raportuar si sulm me thikë. Sipas raportit, një shtetase e huaj, 21-vjeçare, banore e Ferizajt, po trajtohej në Qendrën Emergjente pas një incidenti ku pretendonte se ishte sulmuar nga një person i panjohur në rrugën “Tahir Sinani”. Në dëshminë fillestare, edhe bashkëshorti i saj, 29-vjeçar, deklaroi se sulmi ishte kryer nga një person tjetër. Rasti u cilësua fillimisht si “Lëndim i lehtë trupor”.

Gjatë hetimeve, policia nuk gjeti gjurmë që përputheshin me raportin fillestar. Pasi vizituan banesën e çiftit, hetuesit zbuluan gjurmë gjaku dhe mjete të mprehta, duke ngritur dyshime për një përleshje të brendshme. Në përballjen me provat, bashkëshorti pranoi se çifti e kishte inskenuar ngjarjen dhe kishte dhënë deklarata të rreme.

Pas marrjes së trajtimit mjekësor, të dyshuarit u shoqëruan në stacionin policor, dhe rasti u rikualifikua në “Lëndim i lehtë trupor”, “Dhunë në familje”, dhe “Deklarim i rremë”. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit u ndaluan në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.