“Nuk takohem me Vuçiqin!”/ Osmani, në Hungari: Do të kërkoj mbështetje për rrugëtimin evroatlantik të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Budapest të Hungarisë, ku do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Para fillimit të takimit, Osmani u deklarua për media lidhur me zgjedhjen e Trumpit si president të SHBA-së, si edhe çështjet mbi të cilat do të diskutohet në këtë samit, shkruan IndeksOnline.
“Komuniteti Politik Evropian gjithnjë na ka dhënë mundësinë që jo vetëm të diskutojmë, por edhe të gjejmë zgjidhje për shqetësimet e përbashkëta që kemi. Mezi pres të diskutojmë për çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë, ekonominë dhe energjinë. Shpresoj që në fund të ditës të kemi rezultate produktive. Mezi pres të takojë edhe liderët të tjerë, ku do të bisedojmë jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve tona, por do të kërkoj edhe mbështetjen e tyre për rrugëtimin evroatlantik të Kosovës”, tha Osmani.
Ajo konfirmoi se nuk do të ketë takim dypalësh midis saj dhe presidentit Vuçiq.
“Jo, normalisht nuk takohemi me të. Kosova dhe Serbia takohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Bisedimet po vazhdojnë në Bruksel, midis kryenegociatorëve, kryesisht në ecjen përpara me implementimin e marrëveshjeve të arritura”, shtoi presidentja.