KGJK-ja pa anëtar nga radhët e komunitetit serb, jep dorëheqjen Adrijana Miletiq

Prishtinë-Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbetur pa anëtar nga komuniteti serb.
KGJK-ja përmes një përgjigje të dhënë për “Betimi për Drejtësi” ka njoftuar se anëtarja e deritanishme nga ky komunitet, Adrijana Miletiq ka dhënë dorëheqjen.
“Bazuar në kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 7 gusht 2024, ka pranuar deklaratën e znj. Andrijana Miletiq, për dorëheqjen nga funksioni i anëtares së KGjK-së”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga udhëheqja e zyrës për informim e këtij këshilli, Aishe Qorraj-Berisha.
Po ashtu, KGJK-ja ka njoftuar edhe për arsyet e dorëheqjes së Miletiqit nga KGJK-ja.
Ajo ka theksuar se arsyeja e dorëheqjes është vazhdimi i karrierës profesionale si menaxhere e një kompanie lokale”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.
KGJK-ja gjithashtu ka bërë të ditur se për këtë dorëheqje kanë njoftuar Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Bazuar në nenin 10 paragrafi 1, neni 13 paragrafi 1, nën paragrafi 1.6 të Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe nenit 7 paragrafi 1 të Rregullores nr. 03/2020 mbi organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, këshilli e ka njoftuar Kuvendin e Kosovës për përfundimin e mandatit të znj. Miletiq”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e KGJK-së.
KGJK-ja përbehet nga 12 anëtarë, tre prej tyre nga komunitetet, ndërsa me dorëheqjen e anëtares Miletiq kanë mbetur vetëm dy anëtarë nga komunitetet.