Prishtina po bëhet si Teksasi – plagosen 2 persona, arrestohet një i dyshuar

Dy persona janë plagosur pasditen e së enjtes në një përleshje me armë që ndodhi në rrugën “Mon Balaj”, në Prishtinë afër një pompe benzine.
IndeksOnline ju sjell pamje të reja, nga vendi i ngjarjes.
Këtu ndodhen ende policia e Kosovës, ku edhe po merren me hetimin e rastit.
Të plagosurit janë duke marrë trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërkohë që ende nuk dihen motivet e këtij rasti.
Lidhur me këtë rast, detaje ka dhënë zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Mon Balaj” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia në mënyrë aktive po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, ka deklaruar ai.
Njëri prej të dyshuarve është arrestuar, ndërsa personi tjetër që dyshohet se është i përfshirë në këtë rast, është ende në arrati.
“Po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia”, ka thënë tutje Borovci.