Shpërthim i kanaleve në veri, KRU “Mitrovica”: Ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijës

IndeksOnline raportoi çaste më parë se kanalet e “Ibër Lepencit” në veri të vendit janë sulmuar me një mjet shpërthyes.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Mitrovica’, ka njoftuar se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes, si pasojë e dëmtimit të një pjesë të kanalit të Ibër Lepencit.
Ndërsa kanë kërkuar nga qytetarët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.
“Të nderuar konsumatorë,Si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit, nga i cili kanal ne furnizohemi me ujë të pa përpunuar, është ndërprerërë furnizimi me ujë të pijes. Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijës.
Për çdo zhvillim të ri ne do u mbajmë të informuar. Ju faleminderit për mirëkuptimin tuaj!”, thuhet në njoftim.
Incidentin për Indeksonline, e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, ku njoftuan se janë në teren duke hetuar rastin.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”.
Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar edhe kryeshefi i kësaj KRU-je, Faruk Mujka, ku njoftoi se po mundohen të sanojnë dëmin.
“Po. Këtë punë e ka marrë në kompetencë policia. Po, e kemi një dëmtim dhe për momentin e kemi ndaluar ujin dhe po këqyrim me e sanu sa më shpejt, sepse prej aty po lirohet edhe ujësjellësit edhe KEK-u. Kështu që, po këqyrim sa më shpejt me e rregullu këtë punë”, tha Mujka.