Haliti: Konjufca shkeli rregulloren e kuvendit dhe ligjet e Kosovës

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, e ka quajtur të gabuar dhe shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së kuvendit veprimin kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai cili mbrëmë ndërpreu seancën për t’i pamundësuar deputetëve të Listës Serbe që të futën në sallë.
“Veprimi është në dëm të kryetarit, sepse në këtë rast ai e ka shkelur rregulloren e kuvendit dhe i ka shkelur ligjet e Kosovës. Rregullorja e kuvendit e parasheh se mandatin deputeti e humbë nëse 6 muaj nuk merr pjesë në asnjë mbledhje në kuvend ose në komisione. Ata po e shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre qe ja jep rregullorja e kuvendit. Ata po e bëjnë një lloj presioni për të bërë këtë veprim që e bëri kryetari i kuvendit dhe unë mendoj se bëri gabim sepse ata këtë e kanë pritë”, tha Haliti për RTV21.
Haliti tha se veprimi i kryetarit të kuvendit dhe deputetëve të VV-së është për të fituar vota.
”Me veprimin e kryetarit të kuvendit, ndoshta i ka fituar do vota më shumë sesa që i ka planifikuar me atë veprim, por në planin ndërkombëtar, në planin e së drejtës ndërkombëtare dhe së drejtës së deputetit në kuvend ai ka bërë shkelje të rregullores dhe të Kushtetutës”.
Haliti tha se pjesëmarrja e deputetëve të Listës Serbe në kuvend mund të bëhet vetëm përmes kryesisë së kuvendit duke zbatuar Kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit./Indeksonline/