75 Mall Live Search
10:58 / E Hënë, 23 Dhjetor 2024 / Z S

PD-ja kërkesë për 3 orë tubim, reagon policia: Mos bllokoni rrugët, do përballeni me ligjin

Partia Demokratike do të mbajë pasditen e së hënës tubimin e radhës në kryeqytet dhe për këtë ka bërë edhe kërkesë në polici.

Policia e shtetit ka reaguar me anë të një deklarate ku bën të ditur se PD-ja ka bërë kërkesë për 3 orë tubim, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

Në reagim, policia thekson se garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 23.12.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht: Unaza e vogël, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.

Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore në qytetin e Tiranës, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, raporton A2CNN.

Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.

Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.