75 Mall Live Search
13:01 / E Enjte, 26 Dhjetor 2024 / S Z

BQK: Kosovarët morën 768.9 milionë euro më shumë kredi sesa vitin e kaluar

Banka Qendrore e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku ka rikapituluar të gjitha zhvillimet ekonomike të vitit 2024. Në këtë konferencë, Ahmet Ismaili, guvernator i BQK-së, ka treguar se gjatë këtij viti janë rritur në mënyrë të konsiderueshme kreditë, por edhe remitencat e dërguara nga mërgimtarët.

Sipas Ahmetit, në vitin 2024 kreditë kanë shënuar një rritje prej 768 milionë euro.

“Gjithsej, kreditë në nëntor 2024 kanë arritur shumën prej 5.668 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 768.9 milionë euro ose 15.7% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Ndërsa, depozitat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të kredive. Gjithsej, depozitat në nëntor të këtij viti kanë arritur në 6.586 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 448.5 milionë euro ose 7.3% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Kjo rritje i atribuohet rritjes së normave të interesit në depozita dhe konkurrencës më intensive midis bankave për tërheqjen e depozitueseve” – ka thënë Ahmeti.

“Norma mesatare e interesit në kredi në sektorin bankar në nëntor 2024 ishte 6.02%, ndërsa në dhjetor 2023 kjo normë ishte 6.35%. Norma mesatare e interesit në depozita në sektorin bankar në nëntor 2024 ishte 2.87 për qind” – vazhdoi guvernatori Ahmeti.

Përveç kredive në Kosovë, një rritje tjetër është shënuar në dërgesat e diasporës në Kosovë. Sipas BQK-së, në vitin 2024 ka pasur më shumë dërgesa apo remitencat e diasporës.

“Remitancat kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor, dhe ne presim që të mbyllen në 1.3 miliardë euro. Ky ishte viti i parë me liberalizimin e vizave, dhe prandaj e kemi pritur një ngjarje të tillë” – ka thënë Ahmeti.