Suspendimi i hetuesit Idriz Gashi, Koci: Fotoja e publikuar është falsifikuar

Hetuesi i Njësisë së Veçantë të Policisë së Kosovës, Idriz Gashi, do të ushtrojë kallëzim penal për falsifikim të një fotografie të tij për ta paraqitur atë si pjesëmarrës në një tubim politik.
Gashi e ka autorizuar avokatin Arianit Koci që të ushtrojë kallëzim penal dhe padi për falsifikimin e fotografisë së tij nga një portal i afërt me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Koci e mohoi pjesëmarrjen e klientit të tij në tubimin e Partisë Demokratike të Kosovës në fshatin Rrezallë të Skenderajt.
“Nëse ka një hetues në polici për të cilin kam mendim të mirë si profesionist dhe njeri i ndershëm, ai është Idriz Gashi. Prej dje, ai është i suspenduar! Suspendimi është një hap procedurial fillestar, dhe Idriz Gashi ka të drejtën e tij për të paraqitur faktet dhe mbrojtjen”, tha Koci.
“Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e tij në një tubim politik, dua të sqaroj se fotoja e publikuar është falsifikuar!”, u shpreh Koci.
“Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka qenë pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rrezallë!”
Koci tha se klienti i tij ka prova materiale për të dëshmuar këtë.
Koci tha se shpreson që suspendimi i Gashit të mos dekurajojë hetuesit e tjerë në ndjekjen e rasteve penale.
“Nga ana tjetër, ky rast duket si një përpjekje e hapur për delegjitimimin e institucioneve shtetërore”, tha ai.