Haxhiu dërgon komente në Kushtetuese për Ligjin për byronë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet mbi pretendimet e partive opozitare kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se ata që e kanë keqpërdorur detyrën dhe janë bërë milionerë nga politika s’do të amnistohen.
“Përpjekjet disavjeçare të opozitës për të ndaluar konceptin e konfiskimit civil në Kosovë vazhdojnë, sot, dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me pretendimet sërishme të opozitës kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Duke qenë që për herë të dytë radhazi ky ligj po kontestohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe kur tashmë kemi adresuar secilën kërkesë të gjykatës në raport me të njëjtin, urojmë që gjykatës nuk do t’i duhen sërish 16 muaj për të nxjerrë aktgjykimin. Siç e kemi thënë, ata që e kanë keqpërdorur detyrën e janë bërë milionerë nga politika nuk do të amnistohen”, ka thënë Haxhiu.