Krasniqi konfirmon se kishte Gjykatë Ushtarake në UÇK, flet edhe për qendën e ndalimit në Kleçkë

Dëshmitari Naser Krasniqi ka treguar se një person i quajtur Sabit Shala është arrestuar me urdhër të Sokol Dobrunës, duke shtuar së më pas i arrestuari është dërguar në Qendrën e ndalimit në Kleçkë.
Veç kësaj, dëshmitari Krasniqi gjatë dëshmisë së tij konfirmoi se ka pasur Gjykatë Ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nënshkrimi që ka përgatitur dhe dorëzuar këtë kallëzim penal është i imi në anën e djathtë ku është emri, mbiemri dhe nënshkrimi. Kurse, në anën e majtë ku është data dhe nënshkrimi i personit që ka pranuar çështjen. (Nënshkrimi është ) i zotit Sokol Dobruna”, tha dëshmitari fillimisht për një dokument që iu prezantua.
Për Sabit Shalën, dëshmitari tha se është i vetmi person që është ndaluar me urdhër të Sokol Dobrunës.
“Dhe është i vetmi person që është mbajtur në Terpezë, në të njëjtin objekt dhe shtëpi ku kemi qëndruar unë, Bajram Gashi dhe disa motra medicinale, ku njëra prej tyre ka qenë edhe motra e Bajram Gashin dhe nga aty derisa e kemi përgatitur dosjen, kemi përcjellë çështjen dhe personin tek zoti Sokol Dobruna, përkatësisht në qendrën e mbajtjes”, tha dëshmitari.
Ai tha se në Kleçkë ka pasur qendër ndalimi, ku është dërguar edhe Sabit Shala.
“Janë dorëzuar çështja-lënda dhe personi është dërguar në mbajtje në Qendrën e ndalimit në Kleçkë”, tha Krasniqi.
Naser Krasniqi gjithashtu shtoi se kishte ardhur babai i Sabit Shalës për ta kërkuar të birin, për çka ky e kishte informuar se ishte dërguar ne Qendrën e ndalimit në Kleçkë.
“Pas disa dite aty në Terpezë ku qëndronim në shtëpinë afër shkollës ku qëndronim me Bajram Gashin dhe persona të tjerë që i ceka më herët, ka ardhur babai i zotit Sabit Shala për ta kërkuar djalin e tij. Ka qenë së bashku me një shoqërues. Ai pyeti për djalin e tij se ku e ka djalin. E informova se djalin e ka në Qendren e ndalimit në Kleçkë”, tha dëshmitari.
Duke treguar se çfarë bisedoi me babain e Sabit Shalës, ai konfirmoi se kishe Gjykatë Ushtarake sipas tij në UÇK.
“Pastaj, ai tha se unë kam ardhur që unë të rri në vend të djalit dhe djali të lirohet. Atëherë unë i shpjegova që nuk është në kompetencat e mia një gjë e tillë dhe pasi pyeti unë i tregova që është në kompetencën e Gjykatës Ushtarake dhe ai kërkoi që të takohej me kryetarin e Gjykatës Ushtarake për ta diskutuar të njëjtën kërkesë të tij. Meqenëse Bajram Gashi administrator i togut të Policisë Ushtarake e njihte paraprakisht Habibin, atëherë ne së bashku vendosëm që të ia bëjmë një favor dhe vendosëm që së bashku të shkojmë në Divjakë për ta takuar zotin Sokol Dobruna”, tha dëshmitari Krasniqi.
Dëshmitari tregoi se kur shkoi të fliste me Sokol Dobrunën, ky i fundit i kishte thënë se “si ka mundësi që krimineli ka ardhur ta nxjerrë kriminelin”.
“Aty për t’u futur tek Shtabi i Përgjithshëm përkatësisht tek zoti Sokol Dobruna ka pasur një roje, ka qenë një laurë e vendosur diku në hyrje pak më lartë. Ata të tre kanë mbetur tek laura dhe roja ku ka qenë për të hyrë në Shtabin e Përgjithshëm, ndërsa unë kam shkuar tek Sokol Dobruna. Ia kam shpjeguar Dobrunës tërë atë që e thash se kush ka ardhur dhe pse ka ardhur dhe që dëshironte ta takonte Dobrunën. I njëjti u deklarua se si ka mundësi me ardhë krimineli me e nxjerrë kriminelin nga burgu. Me ardhë krimineli me garantu për kriminelin”, tha dëshmitari Krasniqi.
Si rrjedhojë, dëshmitari tha se Dorbuna ka urdhëruar që të dërgohen dy anëtarë të njësisë së Shtabit të Përgjithshëm që ta ndalojnë babain e Sabit Shalës, Habibin.
“Jo veç që nuk ka pranu të takohet dhe diskutojë me prindin e Sabitit, por ka urdhëruar përgjegjësin e sigurimit, njësisë së Shtabit të Përgjithshëm që t’i dërgojë dy persona të asaj njësie për ta ndaluar zotin Habib Shalën”, tha ai.
Dëshmitari pohoi se ka pasur Rregullore të UÇK-së për mbledhjen e fondeve përmes tarifave të vendosura për automjete që ishin të regjistruara në sistemin e atëhershëm serb.
Dëshmitari shtoi se makinat që janë parë në lëvizje me këto tabela është dashur të paguajnë 300 deri në 900 marka. Tha se ka qenë detyrë, por që diku ka mundur të zbatohet më shumë e diku më pak, po ashtu se përjashtoi mundësinë që kjo detyre të mos zbatohej fare.
“Çdo detyrë që unë kam pranuar, unë e kam përcjellë të dy njësitet e mia që kanë vepruar në kuadër të Brigadës 121”, tha dëshmitari.
Ai u pyet se personat në njësitet e tij a i kanë zbatuar çdo herë detyrat që janë dhënë nga ai. Krasniqi tha se çdo herë janë munduar t’i zbatojnë detyrat për aq sa kanë pasur mundësi në kontest të rrethanave.
Dëshmitari tha se detyrën e ka marrë nga komandanti i Brigadës, i cili vetëm ai e di se nga e ka marrë këtë urdhër por që ky i fundit sipas Krasniqit është thirrur në Shtabin e Përgjithshëm.
Naser Krasniqit iu prezantua një fotografi për të cilën tha se nga 6 personat i njeh së paku katër prej tyre. Dëshmitari identifikoi Shukri Bujën, Fatmir Limajn, Naser Shalën dhe Shpejtim Telakun.
“Për këtë nuk jam i sigurt, më ngjan me dikë por nuk jam i sigurt”, kur u pyet për një gurua në fotografi, të cilën e identifikoi në mes Shukri Bujës dhe Fatmir Limajt.
Për Naser Shalën, dëshmitari tha se e ka pasur nofkën “Fytyra”. Ndërsa, për personin në fotografi që ishte afër Naser Shalës, tha se nuk e di sigurt se kush është por që i ngjan me dikën. Tha se ngjan me Fatmir Shurdhajn.
Ndërsa, për vendin e fotografisë ai tha se ngjan me ambientin e selisë së komandës së Brigadës 121 e cila para ofensivës së parë është përdorur nga pika ‘Çeliku’. Krasniqi shtoi si mundësi që fotografia mund të jetë në vendin e quajtur “Fshati i ri”.
Në një fotografi tjetër, dëshmitari tha se i njeh të gjithë dhe sipas tij ishin Fatmir Limaj, Hashim Thaçi, Sylejman Selimi, Shpejtim Telaku dhe Naser Shala. Për Telakun, dëshmitari tha se ka qenë vazhdimisht truprojë e Fatmir Limajt.
Në prova materiale u pranuan të dy fotografitë që iu prezantuan dëshmitarit.
Vazhdon dëshminë Naser Krasniqi, tregon për shumat që obligoheshin të paguanin mërgimtarët për UÇK-në dhe luftën
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë edhe të martën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 118-të, Naser Krasniqi, i cili mban kodin W04743 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Chalres Smith III, dëshmitari përfaqësohet nga një avokat kujdestar dhe i njëjti është jashtë sallës së gjyqit për të qenë në dispozicion në rast që Krasniqi ka nevojë për këshilla, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitarit Krasniqi iu prezantua një dokument të cilin vetë ai ia kishte dhënë Prokurorisë javën e kaluar.
“Ky dokument është përpiluar gjatë kohës së luftës përkatësisht në janar 1999 dhe për një kohë nuk e kam ditur kue kam dhe rastësisht e kam gjetur së bashku me disa dokumente të mia personale”, tha dëshmitari, duke shtuar se dokumenti mban emrin dhe mbiemrin e tij pasi që e ka përpiluar vetë.
Sipas Prokurorisë, aty ishte një fletëdenoncim që dy policë nuk kanë mbushur detyrat që ka nxjerrë Drejtoria për Financat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që përcakton obligimin për qytetarët e Kosovës përkatësisht ata që jetonin jashtë vendit.
“Ashtu qysh shihet edhe nga paragrafi i parë i shkresës kishte të bënte me inkasimin e të hyrave për luftën e UÇK-së për mërgimtarët që nuk i kishin financuar në botën e jashtme, përkatësisht nuk i kishin shlyer obligimet atje dhe na ishte dhënë detyrë që t’i verifikonin dhe këto obligime t’i shlyenin në vend do të thotë në Kosovë. Po flas çdo herë për territorin e Brigadës 121 përkatësisht të Togut të Policisë Ushtarake të Brigadës 121”, tha dëshmitari.
Krasniqi shtoi se shuma e kontributeve ishte sipas shteteve dhe të gjitha ishin të specifikuara në vendim dhe varionte nga 1 mijë deri në 2 mijë marka ose franga zvicerane.
“Sipas detyrave që ishin të dhëna, në qoftë se mërgimtarët nuk i kishin kryer këto obligime dhe nuk i kanë dhënë në këtë rast në Kosovë, do të duhej t’i merrej pasaporta deri sa t’i shlyente obligimet”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se vendimin e kishin marrë nga Brigada dhe respektivisht nga komandanti i Brigadës 121. Tha se kishin informacione që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte pengesë për marrjen e të ardhurve nga mërgimtarët.
“Ashtu i kishim informatat atëherë”, tha dëshmitari Naser Krasniqi.
Gjatë fillimit të seancës, gjykatësi Smith III tha se më 23, ZPS informoi se në një paketë të caktuar të materialeve ka nxjerrë përkthimet e disa materialeve në anglisht, të cilat janë pranuar dhe morën numër prove. Gjithashtu, ai shtoi se u miratua një kërkesë e ZPS-së që një dokument i përkthyer të zëvendësohet me një tjetër të rishikuar.
Veç kësaj, gjykatësi njoftoi se ZPS më 24 janar 2025 dorëzoi kërkesë sipas Rregullës 154 si dhe një kërkesë për dëshmi përmes video-lidhjes W00543. Mbrojtësi i viktimave nuk kishte kundërshtime për këtë.
Gjithashtu, as mbrojtësi i Kadri Veselit, Rodney Dixon i cili tha se nuk ka kundërshtime as për kërkesën sipas Rregullës 154 dhe as përmes video-lidhjes. Sidoqoftë ai tha se nuk janë përmbushur kriteret megjithëse nuk e kundërshton kërkesën për hir të procesit dhe rëndësisë së dëshmitarit.
Ai kërkoi që nëse ka ndonjë dëshmitar tjetër të tillë të informohet mbrojtja. Me parafolësin u pajtuan edhe ekipet e tjera të mbrojtjes.
Nryshe, të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjyqit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi