Bllokada e urës në Novi Sad: Studentët kërkojnë një të ardhme më të mirë

Edhe sot, gjithë sytë janë të drejtuar nga Novi Sadi, ku studentët, që nga dje, bllokojnë Urën e Lirisë. Studentët kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi për viktimat e tragjedisë në Stacionin Hekurudhor, duke shprehur besimin se protesta e tyre do të sjellë një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë për Serbinë.
Dita e re e bllokadës nisi me mëngjes, muzikë, aktivitete sportive dhe shoqërore. Një pjesë e qytetarëve ofrojnë ushqim, kafe dhe çaj për protestuesit. Bllokada e Urës së Lirisë në Novi Sad, e cila filloi dje në orën 15:00, po vazhdon pa probleme me një motivim të madh te studentëve. Ata, së bashku me qytetarët, kanë bllokuar urën që nga dje dhe do të vazhdojnë protestën deri pasdite.
Gjatë natës, bllokada ka kaluar pa incidente. Studentët nga Novi Sadi u janë bashkuar edhe studentët nga Beogradi dhe shumë qytetarë të tjerë. Parku pranë urës dhe lumit Danub, si dhe rrugët përreth, janë shndërruar në një kamp improvizuar me tenda. Studentët kaluan natën aty, ndërsa u organizua shpërndarja e ushqimit, ujit dhe gjërave të nevojshme.
Dje, në ditën kur u bënë tre muaj nga tragjedia në Stacionin Hekurudhor, ku humbën jetën 15 persona, studentët dhe qytetarët nga pjesë të ndryshme të Serbisë bllokuan të tri urat e Novi Sadit. Ata presin që protesta e tyre të sjellë shpresë për një të ardhme më të mirë në Serbi.
“Ajo që përjetova nuk mund të përshkruhet, duhet ta përjetosh vetë – solidaritet, unitet, një dëshmi që çdo gjë është e mundur dhe se ekziston një e ardhme më e mirë”, thotë një studente.
“Pres një motivim edhe më të madh të qytetarëve, më shumë njerëz në rrugë. Kërkesat nuk do të përmbushen lehtë, sepse po të donin, do t’i kishin përmbushur tashmë”, shton një student tjetër.
Dje në orën 15:00, një numër i madh studentësh nga Universiteti i Beogradit dhe ai i Novi Sadit, së bashku me qytetarë, nisën bllokimin e tre urave në Novi Sad. Dy ura u mbajtën të bllokuara deri në orën 18:00, pas së cilës protestuesit u bashkuan në bllokimin 24-orësh të Urës së Lirisë.
Studentët e Novi Sadit, bashkë me kolegët nga Beogradi, bujqit dhe shumë qytetarë, po kërkojnë drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi nga autoritetet. Studentët mbajnë pankarta me mesazhe për kërkesat e tyre. Në bllokadë janë organizuar diskutime me figura publike, aktorë, gazetarë, ndërsa ka pasur edhe koncerte simbolike.
Kjo është protesta më e rëndësishme deri tani kundër Vuçiqit, me pjesëmarrës nga e gjithë Serbia. Studentët nga Beogradi ecën për dy ditë dhe pas 80 kilometrash arritën në Novi Sad për të shprehur solidaritet me kolegët e tyre.
Ky aksion vjen tre muaj pas shembjes tragjike të një strehëze në stacionin hekurudhor, ku humbën jetën 15 persona. Protestuesit fajësojnë qeverinë për korrupsion dhe neglizhencë në projektet infrastrukturore dhe kërkojnë përgjegjësi.
Protestat, që zgjasin prej gati tre muajsh, tashmë kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq, ndërsa presioni ndaj qeverisë së Vuçiqit po rritet. Studentët kërkojnë një hetim të pavarur për tragjedinë dhe ndryshime thelbësore në qeverisje. Me bllokimin e urave në Novi Sad, protestat kanë hyrë në një fazë të re, duke kaluar në bllokada 24-orëshe për të rritur presionin ndaj autoriteteve serbe.