75 Mall Live Search
09:34 / E Enjte, 06 Shkurt 2025 / k.v

Thellohen hetimet mbi një vdekje misterioze në Podujevë

Policia e Kosovës ka nisur një hetim të thelluar lidhur me një rast të dyshimtë vdekjeje në fshatin Gllamnik të Podujevës.

Sipas raportit të sotëm të policisë, njësitet përkatëse kanë dalë në vendngjarje për të kryer ekzaminimet e nevojshme nën mbikëqyrjen e prokurorit të shtetit, transmeton IndeksOnline.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës, më 2 shkurt 2025, kur një veturë e tipit Golf 7 është gjetur e djegur në këtë zonë. Gjatë ekzaminimit të mjetit, hetuesit kanë zbuluar mbetje kockore, të cilat më vonë u konfirmuan nga ekspertiza mjekoligjore se i përkisnin një njeriu.

Prokuroria e shtetit ka angazhuar menjëherë një ekspert antropolog mjekoligjor për të verifikuar identitetin e mbetjeve, ndërsa hetimet po vazhdojnë me intensitet të lartë. Prokurori i rastit ka autorizuar hetime të thelluara në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për të zbardhur rrethanat e plota të këtij rasti.

Në këtë fazë të hetimeve, autoritetet nuk kanë dhënë më shumë detaje, por kanë siguruar se janë të angazhuara maksimalisht për të zbuluar të vërtetën dhe për të siguruar drejtësi. Hetimet po zhvillohen në disa pista dhe informacione të tjera priten në ditët në vijim./IndeksOnline/