75 Mall Live Search
01:10 / E Diele, 09 Shkurt 2025 / MSH

Mërgata votoi/ Përfundon procesi zgjedhor në Uashington dhe Nju-Jork

Ambasada e Kosovës në Uashington dhe Konsullata në Nju-Jork janë të fundit në të cilat ka përfunduar procesi zgjedhor.

Bashkatdhetarët patën të drejt të ushtrojnë votën në 43 vendvotime në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë, një ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve.

Por, për shkak të dallimit të kohës lokale, ato në SHBA u hapen të fundit, për t’u mbyllur kësisoj të fundit, gjithashtu.

“Falënderojmë të gjithë që votuan sot si dhe ata që kanë zgjedhur votimin përmes postës, ndërkaq mirënjohje të thellë për të gjithë kolegët e përfshirë për bashkëpunimin, punën e palodhshme dhe profesionale duke mundësuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Ambasadës në Uashington.

Në Ambasadën në Uashington të drejt vote patën 78 shtetas të Republikës së Kosovës, ndërkaq në Konsullatën në Nju-Jork, të drejt vote patën 619 bashkatdhetarë, shkruan IndeksOnline.

Në Uashington dhe Nju-Jork është hera e parë që qytetarëve të Kosovës iu lejohet të ushtrojnë të drejtën e votës në një objekt diplomatik.

Në të dhënat e fundit të KQZ-së, 71.16% (14,463) e votuesve të regjistruar për votim në Ambasada/Konsullata kanë ushtruar të drejtën e votës, përjashtuar ata në SHBA.

Kujtojmë se mijëra mërgimtarë kanë votuar edhe përmes postës, në ditët që lëmë pas./IndeksOnline/