Stavileci: Sot është dita kur secili prej nesh ka fuqinë të vendosë për drejtimin e Kosovës

Zëdhënësi i i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka thënë se Kosova po tregon sot fuqinë e saj demokratike.
“Procesi zgjedhor po zhvillohet me pjesëmarrje të mirë dhe me një frymë të jashtëzakonshme optimizmi dhe shprese për të ardhmen. Deri në orën 15:00, qytetarët tanë po tregojnë përkushtim dhe përgjegjësi, duke dëshmuar se e ardhmja e vendit është në duart e tyre! Faleminderit secilit prej jush që tashmë keni votuar! Vota juaj është forca e shpresës dhe garancia për një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të drejtë. Sot, po shkruajmë një kapitull të ri për vendin tonë – një kapitull të progresit, të mundësive dhe të zhvillimit!”, tha ai në konferencën për media.
Stavileci tha se sot qytetarët e Kosovës, me votën e tyre janë duke jetësuar vizionin për të ardhmen e Kosovës.
” Secila votë është një hap përpara drejt një të ardhmeje më të ndritur, drejt një shteti që kujdeset për qytetarët, për rininë, për ekonominë dhe për mirëqenien e secilit prej nesh. Ka mbetur edhe pak kohë, andaj, nëse nuk keni votuar ende, bëjeni tani! Mos e lini për më vonë, mos e lini për dikë tjetër – sot është dita kur secili prej nesh ka fuqinë të vendosë për drejtimin e Kosovës në vitet që vijnë. Dilni, votoni dhe bëhuni pjesë e festës! Një Kosovë më e zhvilluar është e mundshme dhe ajo po fillon sot, me votën tuaj!”, tha ai.