75 Mall Live Search
22:58 / E Shtunë, 27 Janar 2018 / indeksADMonline

Ndotja alarmante e ajrit, ky është plani i Ministrisë për përmirësimin e gjendjes

Qytetarët e Kosovës po përballën me një gjendje jo të mirë të ajrit, ku këto ditë është shënuar tejkalime të vlerave të lejuara. Madje edhe vet kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, një ditë më parë iu ka rekomanduar qytetarëve që të reduktojnë daljet nga shtëpia shkaku i ndotjes së ajrit.

E për këtë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është duke e implementuar një projekt që mbështet nga një Agjencion Japonez lidhur me kontrollin e ndotjes së ajrit.

Bajram Kadriu, zyrtar për komunikim publik në këtë ministri për Indeksonline ka thënë se në kuadër të bëhet hulumtim i të gjitha burimeve të ndotjes së ajrit për të marr pastaj masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“MMPH përveç mekanizmave për kontrollin e burimeve të ndotjes së ajrit të parapara me legjislacion është duke e implementuar projektin për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit i cili mbështetet nga Agjencioni Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Në kuadër të këtij projekti është paraparë që të bëhet një hulumtim i të gjitha burimeve të ndotjes së ajrit me fokus regjioni i Prishtinës duke përfshirë Fushë Kosovën dhe Obiliqin. Kjo do të jetë bazë për të identifikuar burimet e ndotjes dhe me ndihmën e japonezëve do të përcaktojmë masat afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Ky projekt përfshinë edhe komponentë tjerë që do ta ndihmojnë MMPH për përforcimin e sistemit për menaxhimin e ajrit” thuhet në përgjigjen e tij.

Burimi më i madh i ndotjes konsiderohet të jenë industritë dhe transporti.Vetëm për vitin 2017, Ministria ka dërguar për gjykatë 156 operator për ndotje të mjedisit.

“Të gjithë operatoret në fushën e mjedisit që me aktivitetin e tyre janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi dërgohen në gjykatë, në vitin 2017, në gjykatë për kundërvajtje janë dërguar 156 operator” thuhet me tutje në përgjigjen e Kadriut.

Ministria për mbrojtjen e ajrit nga ndotja ka hartuar një projektligj përmes së cilit është paraqitur plani i veprimit për cilësinë e ajrit.
Ky projektligj pritet ta përcjellët në Qeveri për miratim.

“Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja është përfunduar dhe është në procedurë të përcjellët në Qeveri për miratim. Pas miratimit ky projektligj dërgohet në Kuvend për miratim. MMPH ka përgatitë Planin e Veprimit për Cilësinë e Ajrit. Ky dokument është dërguar në Qeveri për miratim. Pas miratimit ky dokument dërgohet në Kuvend për miratim” thuhet në përgjigjen e tyre për Indeksonline.

Bazuar në matjen e bërë dje nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në orën 21:00 vlera e ndotjes ka arritur në 350.

Ndërsa, edhe sonte cilësia e ajrit nuk është e mirë. Nga matjet në orën 18:00 cilësia e ajrit në Prishtinë është në nivelin e 359 pm, që është jashtë standardeve të lejuara./Indeksonline/L.TH/