75 Mall Live Search
13:58 / E Hënë, 24 Shkurt 2025 / k.v

Shtyhet seanca e rigjykimit ndaj ish-policëve, të cilët akuzohen për ryshfetmarrje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Sulltane Hoti, ka dështuar të mbahet seanca ku Lutfi Menxhiqi dhe Lavdim Osmani akuzohen për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mungesa e gjyqtares Hoti lidhet me shkaqe shëndetësore të kësaj të fundit, ka bërë të ditur zyra e saj çka ka rezultuar në shterjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 14 shkurt të vitit 2022, kishte shpallur fajtorë Osmanin dhe Menxhiqin duke i dënuar në total me 12 vite burgim dhe me 8 mijë euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 maj 2023, ka marrë vendim, përmes të cilit ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Menxhiqit dhe Osmanit.

Vendimi i Apelit për këtë çështje erdhi pas mbajtjes së seancës në këtë gjykatë më 5 prill 2023, ku edhe ishin shqyrtuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, për Lavdim Osmanin, avokati Muhamet Mujaj dhe për Lutfi Menxhiqin, avokati SkenderMusa.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar, më 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet nga Driton Berisha dhe D.H., në mënyrë që të mos ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.